“60 vite larg Europës” – BERZH për rajonin, Shqipëria dhe Kosova më larg se të tjerët

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar një raport të ri dhe të detajuar për rajonin, nëpërmjet të cilit përpiqet të masë jo vetëm largësinë e Ballkanit Perëndimor me Europën, por edhe vetë diferencat mes vendeve të rajonit.
Ekonomive të rajonit do t`i duhen të paktën 40 vite për të arritur nivelin e vendeve europiane, në rastin më të mirë, thotë BERZH. Në rastin më të keq, do të duhet të kalonin plot 2 shekuj, gjë që e ilustron më së miri ky grafik.
Në skenarin më optimist, vendet e rajonit duhet të regjistrojnë norma rritje si ato të përpara krizës, ndërsa në skenarin më të keq, normat e rritjes do të ishin si ato të pas krizës. Në skenarin më të mundshëm thotë BERZH, rajonit do t`i duheshin 60 vite për të barazuar Europën, periudhë kohore kjo e ngjashme me një tjetër parashikim të fundit të Bankës Botërore.
E ndërkohë që i gjithë rajoni do të dojë shumë dekada të arrijë Bashkimin Europian, Shqipëria duket se do ta ketë më të vështirë se të tjerët.
Indeksi i tranzicionit të ekonomive të rajonit drejt një ekonomie të qëndrueshme tregu e rendit Shqipërinë të 4-tën në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, ndërkohë që Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë shumë përpara.
Performancën më të dobët, vendi ynë e regjistron në drejtim të mirëqeverisjes dhe në drejtim të konkurrueshmërisë, ku jemi të parafundit, më mirë vetëm se Kosova, çka do të thotë se, dy shtetet shqiptare janë të fundit në rajon në garën ekonomike, dhe se duhet gjatë dekadave që vijnë duhet të eliminojnë diferencat jo vetëm me Europën, por sidomos me fqinjët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.