61 denoncime për sigurinë ushqimore – Viti 2017, AKU vendos 2.9 mln lekë gjoba vetëm në bazë ankesash
Plot 61 ankesa dhe denoncime janë bërë nga qytetarët gjatë vitit 2017 pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, lidhur me mungesën e sigurisë ushqimore në produkte të ndryshme.
Ankesat shtrihen në të gjithë Shqipërinë dhe janë verifikuar nga grupet e inspektimit të AKU-së në terren, nga ku dhe janë marrë masa përkatëse sipas rastit.
Disa nga arsyet e denoncimeve kanë të bëjnë me mungesën e etiketave në gjuhën shqipe për produkte të ndryshme, të tregtuara edhe nga markete të mëdha, produkte në shitje por që u ka mbaruar afati i skadencës, produkte me pesticide, dyqane të tregtimit të perimeve dhe peshkut jashtë kushteve higjieno-sanitare, produktet e bulmetit që mbahen jashtë frigoriferit nëpër korridoret e supermarketeve; blerje të produkteve të mishit i cili ka rezultuar i prishur, helmime nga restorante, tregtim i bukës me papastërti, transportim i kafshëve të therura që ngarkohen ne kamionçinë të pambuluara dhe pa kushte, helmime nga ushqimet ne fast-foode, etj.
Pasi janë verifikuar shkeljet, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë disa masa administrative për rastet e denoncuar.
Kështu, janë dhënë paralajmërime, masa me bllokime aktivitetesh, si dhe një shifër e konsiderueshme gjobash, që arrin në total vlerën e 2.9 milion lekëve.
Gjobat kanë variuar nga 50 mijë lekë deri në 1 milion lekë për shkelje më të rënda. Ndërsa disa nga ankesat janë ende me statusin në trajtim.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.