61 vende firmosin deklaratën për internetin – Mes firmëtarëve është edhe Shqipëria, SHBA dhe vendet anëtare të BE
Të gjitha vendet e Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 32 vende të tjera kanë nënshkruar “Deklaratën për të Ardhmen e Internetit”, që përcakton prioritetet kryesore për një internet “të hapur, të lirë, global, të ndërveprueshëm, të besueshëm dhe të sigurtë”. Deklarata nënvizon objektivat kryesorë, si heqja e përmbajtjes së paligjshme pa kufizuar lirinë e shprehjes, neutralitetin e rrjetit, por edhe përballueshmërinë në aspektin financiar.
Deklarata me tre faqe, e përmbledhur nga Komisioni Europian dhe nga Shtëpia e Bardhë, ofron një vizion të gjerë të rrjetit dhe njëkohësisht një miksim të çështjeve specifike të 61 vendeve firmëtare. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit.
“Ne jemi të bashkuar nga besimi në potencialin e teknologjive dixhitale për të promovuar ndërlidhjen, demokracinë, paqen, sundimin e ligjit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut dhe lirive themelore,” thuhet në fillim të dokumentit.
Por “qasja në internetin e hapur është e kufizuar nga disa qeveri autoritare dhe platformat online apo mjetet dixhitale përdoren gjithnjë e më shumë për të shtypur lirinë e shprehjes dhe për të mohuar të drejtat e tjera të njeriut dhe liritë themelore”, vijon deklarata. Shumica e parimeve janë të njohura mirë tashmë, por ka disa detaje që nuk janë të lidhura ngushtë me debatet rregullatore bashkëkohore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.