64 milion euro taksa vendore në 3 muaj – Bashkitë rritën ndjeshëm të ardhurat nga bizneset dhe qytetarët
Pushteti vendor është në ditët e tij më të mira sa i takon vjeljes së taksave dhe tarifave vendore nga qytetarët dhe bizneset. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, vetëm në 3 muajt e parë të vitit 61 bashkitë në vend kanë arkëtuar 7.7 miliardë lekë apo 64 milionë euro. Krahasimisht me të njëjtën periudhë të një vitit më parë janë mbledhur rreth 2.8 miliardë lekë, e përkthyer në valutë, afro 23 milionë euro më shumë. Përgjatë periudhës Janar-Mars 2022, pushteti vendor ka mundur të mbledhë me shumë nga taksa e pasurisë në raport me vitin e kaluar, e cila është realizuar në vlerën 1 miliardë lekë, dhe një rritje të lehtë nga taksa e biznesit të vogël, edhe pse është në nivel të pa konsiderueshme. Ndërsa ndikimin më të madh e kanë dhënë taksat lokale, ku thuajse janë dyfishuar të ardhurat nga ky zë, me një realizim në masën 6.7 miliardë lekë, apo 2.9 miliardë lekë më shumë.
Arsyet e rritjes së të ardhurave është rikthimi i jetës ekonomike si në periudhën e para krizës, heqja e kufizimeve të pandemisë dhe rikthimi i institucioneve vendore në funksion të plotë. Po ashtu, nëse individë apo biznese vitin që lamë pas janë toleruar t’u shmangen detyrimeve për shkak të pandemisë, tashmë duket se kanë paguar taksat dhe tarifat e përcaktuara me ligj ndaj pushtetit vendor.
Në taksat lokale përfshihen kryesisht, taksat e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme; Taksa e tabelës; Taksa e përkohshme e tregut; Tarifa e gjelbërimit; Tarifa e pastrimit dhe e largimit të mbeturinave; Tarifa e plazheve private (për zonat bregdetare); Tarife për leje për përdorim strukture; Tarifa e parkimit te automjeteve; Tarifa e ndriçimit; Taksa e fjetjes në hotel, tarifa për zënien e hapësirave publike etj. Mesatarisht qytetarët dhe bizneset paguajnë afro 23 taksa dhe tarifa vendore të cilat ndryshojnë në bazë të bashkisë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është ajo që furnizon më së shumti buxhetet e bashkive .
Bashkitë kanë rritur me 23 milionë euro më shumë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore përgjatë tre muajve të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtë periudhe të një vitit më parë.
Të ardhurat e bashkive
3-mujori 2021 4.9 miliardë lekë
3-mujori 2022 7.7 miliardë lekë
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.