66 kompani “VIP” në Gjykatë – Faturat e gjobat, zbardhen paditë e bizneseve të mëdhenj kundër tatimeve

Viti 2017 është mbyllur me një numër shumë të lartë kompanish VIP të cilat rezultojnë në procese gjyqësore kundër administratës tatimore. SCAN ka zbardhur të dhënat zyrtare të Gjykatave, sipas të cilave më 31 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, numërohen në total 66 padi kundër tatimeve nga ana e kompanive VIP. Në listën e këtyre kompanive gjenden disa prej bizneseve më të mëdha në vend.
Përsa i përket natyrës së çështjeve për të cilat bizneset kanë ngritur padi, ato dominohen nga faturat e larta të vlerësimeve të bëra nga tatimorët. Në një pjesë të mirë të padive bizneset kërkojnë fshirjen e plotë apo të pjesshme të gjobave e kamatëvonesave të kripura. Nuk mungojnë rastet kur vetëm gjobat shkojnë në dhjetëra mijëra euro.
Veçanërisht gjysma e parë e vitit 2017 shënoi një bum padish nga bizneset kundër administratës tatimore. Televizioni SCAN zbardhi një raport zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas të cilit në gjysmën e parë të vitit të shkuar arriti në 426 numri i bizneseve që paditën administratën tatimore për vlerësime, gjoba apo kamatëvonesa të padrejta.
L.R./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.