7.2 mld lekë taksa nga ndërtuesit/ Tirana me rritjen më të madhe, dy qytete nuk dhanë asnjë leje
Në 9 muaj, pushteti vendor ka mbledhur 7.2 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, me në rritje me rreth 91.7% në terma vjetorë. Peshën më të madhe e zë Bashkia e Tiranës, e cila ka mbledhur 5.3 miliardë lekë, ndërsa 60 bashkitë e tjera në total mblodhën 1.9 miliardë lekë.
Kështu, sipas raportit të financave vendore, Bashkia e kryeqytetit, regjistroi rritje me rreth 110.8% në terma vjetorë, duke përfaqësuar 73.3% të të ardhurave totale nga kjo taksë.
Në të kundërt, bashkitë Memaliaj dhe Kuçovë rezultojnë të mos ketë gjeneruar të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukture për periudhën në analizë. Në bashkinë Lezhë, nga kjo taksë rezulton të jenë zgjeruar nga një nivel prej rreth 62.7 milionë lekë në rreth 368.6 milionë lekë gjatë periudhës në analizë dhe në bashkinë Durrës nga rreth 176.9 milionë në rreth 249 milionë lekë.
Sipas raportit, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja mesatarisht përfaqësojnë rreth 54.5% të të ardhurave nga taksat vendore. Për rreth 20% të bashkive, të ardhurat nga kjo taksë qëndrojnë mbi mesataren kombëtare.
Ndërkohë, në rreth 13% të bashkive të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore duke reflektuar deri diku edhe presionet më të ulëta zhvillimit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.