7 miliardë lekë të tjera kundër COVID-19 – Ndryshon sërish buxheti/ Rritet ndjeshëm edhe fondi i garancisë
Pa kaluar një muaj, buxheti i shtetit ka ndryshuar sërish në funksion të masave të marra ndaj frenimit të përhapjes së COVID-19. Përmes një projektligji të miratuar rishtazi, qeveria ka vendosur të ulë shpenzimet e buxhetit qendror me rreth 7 miliardë lekë.
Ndërsa këtë shumë e ka zhvendosur tek fondi rezerve duke e çuar atë në 16.2 miliardë lekë, nga 9.2 miliardë lekë që u bë me aktin normativ të fund Marsit.
Kontigjenca për risqet e borxhit, ka mbetur në të njëjtin nivel prej 4 miliardë lekësh.
Ndërkaq, fondi i vendosur më parë prej 2 miliardë lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme” në programin “Mbështetje për shëndetësinë” të Ministrisë së Mbrojtjes është ulur në 1 miliardë lekë.
Sipas projektligjit fondi rezervë i buxhetit prej 16 200 miliardë lekësh përdoret duke u ndarë në disa pjesë ku 1.7 miliardë lekë shkojnë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme; 13 500 miliardë lekë si kontingjencë për paketën sociale antiCovid-19; 1 miliardë lekë për emergjenca të tjera në kuadër të masave anti Covid 19.
Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 000 miliardë lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa. Po ashtu është vendosur të që shuma e garancisë së qeverisjes qendrore nga 11.5 miliardë lekë të bëhet 26.5 miliardë lekë, e cila do të përdoret në funksion të bizneseve që do t’i drejtohen bankave tregtare për kreditim, me qëllim që të shlyejnë pagat e punonjësve.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.