7 nga mënyrat më të këqija për të kursyer para

Ruajtja e një shume të madhe parash është e vështirë, vërtetë. Për disa, kursimi i parave vjen natyrshëm, por për disa të tjerë mund të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha.
Afërsisht 26% e të rriturve nuk kanë kursyer për një rast urgjent, ndërsa rreth 36% ende nuk kanë filluar të kursejnë në lidhje me daljen në pension.
Këto shifra nuk janë surprizë, duke pasur parasysh që shumë konsumatorë përherë e më shumë janë duke luftuar me interesa të larta të kredive dhe borxheve.
Kjo është një recetë katastrofike, sepse një emergjencë financiare mund të të godasë në çdo moment. Një humbje pune, një sëmundje, apo divorci, ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në mirëqenien tuaj financiare.
A jeni të vendosur për të ruajtur disa para më shumë me çdo mjet të mundshëm?
Këtu ndodhen 7 mënyrat më të këqija për të kursyer para.
1. Blerja në masë e gjërave shtëpiake
Blerja e ushqimeve apo sendeve shtëpiake në masë nuk është gjithmonë një veprim i mirë. Nëse jetoni vetëm dhe nuk ju vijnë shpesh mysafirë në shtëpi, nuk është e nevojshme të shpenzoni shumë duke blerë në supermarket.
Për shkak se një artikull që ju pëlqen, ndodhet në supermarket, apo jeni të regjistruar me kartë, kjo nuk do të thotë se automatikisht jeni duke e marrë me çmimin më të mirë. Dyqanet apo supermarketet rrallë herë kanë çmimet më të mira për sendet ushqimore dhe sendet e tjera. Blerja në treg apo pazare është pranuar gjerësisht si mënyra më e mirë për të kapur çmimet më të ulëta në ushqime.
Mënyra më e mirë për të kursyer
Nëse jeni të bindur se blerja në tregun ushqimor apo në pazar nuk ju jep kënaqësinë e produkteve që blini në supermarket, atëherë mos blini produktet që kanë emrin më të mirë, por mund të blini artikujt me një emër më pak të dëgjuar. Çmimet e kësaj kategorie mund të shkojnë deri në 25% më lirë se sa artikujt e kategorisë me emra të dëgjuar.
2 .Aplikimi për një kartë anëtarësimi në dyqan
Shumë dyqane përpiqen të joshin klientët e rinj duke ofruar një zbritje nëse ata aplikojnë për një kartë anëtarësimi në dyqan. Megjithatë, kjo nuk është një mënyrë e zgjuar për të kursyer para. Shtimi i një karte anëtarësimi në portofolin tuaj me shumë gjasa mund t’ju tundojë që të shpenzoni më shumë. Madje nëse keni shumë borxhe, kjo mund ta bëjë situatën tuaj edhe më keq.
3.Shmangia e kursimeve për pensionin
E kemi thënë edhe më parë, por le ta themi përsëri: kurse për pensionin. Edhe pse mund të përfitoni nga kontributet gjatë viteve, vlera monetare e pensionit të bazuar vetëm në kontributet mund të jetë minimale apo e pamjaftueshme. Shmangni justifikimet dhe filloni të kurseni për pensionin tuaj. Nëse punëdhënësi juaj mund të ofrojë një kontribut apo një bonus, mos u tundoni t’i shpenzoni të gjitha. Ruajini një pjesë për pension, dhe kur të vijë momenti, pavarësisht sa larg mund të duket, do të falënderoni veten për punën dhe sakrificën e bërë.
4. Shmangia e kursimeve të emergjencës
Mënyra më e mirë për t’u përgatitur në raste emergjence, është që të kemi një fond emergjence. Lënia pas dore e kursimeve emergjence mund të jetë një veprim i rrezikshëm. Jeta është e paparashikueshme. Është më mirë të jeni të përgatitur dhe të pushoni mjaftueshëm, duke e ditur se jeni të mbrojtur nga një shumë e shëndetshme parash, se sa të përpiqeni dhe të arrini për kartat e kreditit, sa herë që jeni duke u ballafaquar me kohët e vështira financiare. Në vend të injoroni fondin tuaj të kursimit, ruani atë me aq sa mundeni. Edhe pse shumica e ekspertëve financiarë rekomandojnë të kurseni diku tek 10-15% të pagës suaj, ky nuk mund të jetë një objektiv realist për të gjithë. Edhe pse mund të hiqni mënjanë vetëm 2500 lekë në javë, ky është një fillim i mirë.
5. Shmangia e ushqimeve bio
Ndoshta tregu është i mbushur plot me artikuj dhe produkte të cilat kanë çmime interesante apo të paketuara bukur, ushqehuni shëndetshëm. Shumica e artikujve të paketuara përmbajnë konservantë të cilat ruajnë jetëgjatësinë e ushqimit, por ndërkohë janë deri diku të dëmshme dhe për organizmin. Në një periudhë ndoshta afatgjatë, këto ushqime mund t’ju shkaktojnë sëmundje apo alergji të cilat mund të bëhen kronike dhe kërkojnë para për t’u mbajtur nën kontroll. Hiqni dorë nga ushqimet me konservantë. Blini ushqime bio.
6.Përvetësimi apo marrja borxh e sendeve të punës
Mos u përpiqni të ruani para duke “marrë borxh” sende apo vegla të cilat i përkasin kompanisë ku ju jeni të punësuar. Mund të duket sikur kurseni lekë edhe kur bëhet fjalë për një fletore, bllok, printime, apo letra zyre. Në fakt kjo quhet vjedhje dhe abuzim me materialet e dikujt tjetër. Nëse shefi juaj bie në dijeni të këtij informacioni, atëherë rrezikoni vendin tuaj të punës, vetëm për disa qindarka të kursyera.
Nëse ju pëlqejnë artikujt e punës, mund të pyesni departamentin përkatës se ku mund ti kenë blerë apo t’ju referojnë tek klienti për ndonjë zbritje të mundshme.
7.Shmangia e pagesave në kohë të kartave të kreditit
Keni qenë në telashe apo vështirësi financiare për të paguar në kohë kartat e kreditit? Po, ndoshta shpesh. Por kini parasysh diçka. Mospagimi në kohë i një karte krediti apo kredie, qoftë kjo për një blerje online apo kredi shtëpie, do t’ju ulë pikët e vlerësimit të pagesave. Humbja e pikëve do të thotë humbje besimi nga bankat apo institucionet që japin kredi. Kjo do të thotë se në një moment kur të keni nevojë sërish për një kredi apo një përfitim të momentit të bonuseve të kredisë, ju rrezikoni të mos merrni më, jo vetëm në atë bankë ku keni qenë anëtare, por në të gjithë bankat e tjera, kjo pasi “biografia” juaj e të paguarit të kredive ruhet në një sistem të përbashkët bankar, duke ju zbuluar krejtësisht kudo që ju të shkoni. Këshilla jonë? Paguani gjithmonë në kohë nëse keni kredi, dhe shmangiuni sa më shumë duke mos marr fare kredi apo karta krediti.
Ada Xhagolli/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.