7 sektorët që goditen nga COVID-19/Parashikimet e qeverisë: Bie konsumi, investimet dhe eksportet
Qeveria ka bërë një parashikim paraprak për sektorët që do të goditen më shumë nga masat e marra për frenimin e përhapjes së Coronavirusit. Kështu, sipas parashikimeve të bëra,të pasyqyruara në aktin normative për ndryshimet në buxhet, thuhet se “pritet që impaktin më të lartë negativ ta kenë aktivitetet ekonomike që lidhen me sektorët e turizmit, të transportit, të tregtisë”.
Por, gjithashtu, sipas qeverisë, pritet të preken konsiderueshëm edhe sektorët e industrisë përpunuese, industrisë nxjerrëse, shërbimeve të tjera dhe ndërtimit . Nga ana tjetër, evidentohen dhe sektorë që mund të përfitojnë nga kjo situatë. “Mundet që njëkohësisht disa sektorë të tjerë të kenë një impakt neto pozitiv, si p.sh. sektori i bujqësisë, kryesisht për shkak të efektit të zëvendësimit të mallrave të importit me ato të prodhuara në vend”, thuhet në relacion. Qeveria prej që nga pikëpamja e kërkesës agregate, impakti më i lartë negativ pritet në eksportet totale, sidomos ato të shërbimeve, dhe në konsumin final por, gjithashtu, edhe investimet totale pritet të kenë një impakt negativ, ndonëse më të zbutur se sa dy komponentët e parë.
Ndërkohë tkurrja në të njëjtën kohë e importeve, si të mallrave ashtu edhe të shërbimeve, pritet të zbusë në një masë të caktuar efektin neto negativ në rritjen reale të PBB-së. Për shkak të kësaj situate qeveria ka rishikuar rritjen ekonomike reale në 2 për qind nga 4.1 për qind që ishte parashikuar në buxhetin fillestar.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.