70% e bashkive nuk japin llogari – Raporti i monitorimit: Fshehin treguesit financiarë
Ndërsa kërkojnë më shumë fonde nga buxheti i shtetit dhe pjesa më e madhe e bashkive “mbahen në këmbë” nga transferta e pakushtëzuar, pushteti lokal ka një performancë tejet negative në raport me transparencën e punës ndaj qytetarëve por edhe qeverisë.
Raporti i Përputhshmërisë së monitorimit të performancës në nivel bashkie, i publikuar për herë të parë, vë në dukje se në raportimin e treguesve financiarë, të cilët bëjnë të mundur vlerësimin e qëndrueshmërisë së njësive të qeverisjes vendore, 70.4 për qind prej tyre, apo 43 bashki nga 61 në total nuk i kanë raportuar.
Ndërsa për 6 bashki të tjera nuk ka asnjë informacion, duke bërë që vetëm 12 bashki në total të jenë transparente në raport me treguesit financiarë, që lidhen me mënyrën përdorimit të fondeve publike dhe ruajtjen e disiplinës fiskale. Bashkitë e rregullta janë Skrapari, Shijaku, Belshi, Gjirokastra, Kolonja, Korça, Maliqi, Kukësi, Lezha, Tropoja, Shkodra dhe Vlora.
Ndërkaq, rreth gjysma e bashkive në vend nuk raporton të ardhurat e planifikuara sipas burimit dhe të ardhurat e planifikuara përkundrejt të realizuara.
Po ashtu, lista e investimeve dhe detaje të projekteve më të rëndësishme, janë raportuar vetëm nga 46 për qind e bashkive, çka do të thotë se më shumë se gjysma nuk jep llogari se ku i përdor fondet e taksapaguesve shqiptare dhe me sa efiçencë janë vënë në përdorim, për ti kthyer në shërbime më të mira për qytetarët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.