70 hektarë pisha të djegura në Dibër, situatë emergjente edhe në Kishën e Laçit – Ende aktiv zjarri në Shëngjergj

24 orët e fundit kanë shënuar atë që mund të jetë edhe dita më e keqe për këtë verë për situatën e zjarreve në vend. 14 vatra zjarri kanë qenë aktive në të gjithë territorin e vendit, sipas raportimit të Emergjencave Civile.
Në qarkun e Dibrës ka qenë edhe situata më e rënduara, ku flakët në fshatin Sllatinë kanë djegur një sipërfaqe prej 70 hektarësh pyll pishe e zezë. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile njofton se forcat zjarrfikëse kanë mundur ta izolojnë plotësisht këtë zjarr, ndërsa në qark vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve në fshatrat Madhesh dhe Bushkash në bashkinë e Matit. Nga të dhënat njoftohet se një vatër zjarri në fshatin Bushkash është bërë tepër aktive në pyllin me dushk dhe pemë lisi me drejtim nga mali.
Zjarri ka rënë edhe në kurorën me pisha të larta në Malin e Kishës së Shënandoit të Laçit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë të mbështetur edhe nga punonjës të bashkisë si dhe personel të ushtrisë, të cilët i kanë shuar vatrat e zjarrit.
Në Tiranë, terreni i vështirë vijon të pengojë operacionin për fikjen e vatrave aktive pranë fshatit Shëngjergj dhe zjarri vijon të fitojë terren duke djegur një sipërfaqe të madhe me shkurre e pisha.
Zjarr ka rënë edhe në landfillin e Sharrës dhe në afërsi të Tunelit të Krrabës , ku për të fundit vijojnë të jenë aktive operacionet për fikjen.
Flakët janë shtrirë edhe në qarqet e tjera të vendit, në Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat, Durrës dhe Korçë.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 98 punonjës zjarrfikës, 13 automjete zjarrfikëse, 140 veta personel nga Forcat e Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë si dhe punonjës të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, etj.
Këto operacione janë mbështetur nga helikopterë, por edhe nga partnerët e huaj të cilët kanë ofruar asistencën e tyre për të ndihmuar vendin të përballet me këtë situatë të rënduar.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.