72 mld lekë kontribute shoqërore – Viti 2017, rriten të ardhurat me 6.9 mld lekë

Të ardhurat totale nga sigurimet shoqërore për vitin që lamë pas janë regjistruar në vlerën e 72 miliardë lekëve, nga 65.1 miliardë lekë që kanë qenë në vitin 2016, duke shënuar kështu një rritje me 6.9 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, rritje ka pasur në tre zërat kryesore të të ardhurave.
Kështu, nga subjektet juridike dhe fizike janë mbledhur 69.2 miliardë lekë, që zënë edhe peshën kryesore të kontributeve, nga 62.6 miliardë lekë që kanë qenë një vit më parë. Kontributet nga të vetëpunësuarit në bujqësi, janë regjistruar me një rritje të lehtë, duke arritur në vlerën e 2.1 miliardë lekëve, nga 1.9 miliardë që kanë qenë një vit më parë.
Më rritje janë regjistruar edhe kontributet nga sigurimi vullnetar. Për vitin që lamë pas janë mbledhur 483 milion lekë, rreth 62 milion lekë më shumë se viti paraardhës. E ndarë në përqindje, kontributet e personave fizikë dhe juridikë zënë 82.8 për qind të të ardhurave, financimet me destinacion nga buxheti i shtetit 11,5 për qind, kontribute me destinacion nga buxheti i shtetit 5.4 për qind dhe të ardhura të tjera 0.2 për qind.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.