75 mijë vizitorë më shumë deri në Mars – Më pak vijnë për pushime, më shumë për biznes

Edhe gjatë muajit Mars hyrjet e shtetasve të huaj në territorin e vendit u rritën, duke regjistruar 254 mijë individë, pjesa më e madhe nga Kosova dhe pjesa tjetër e rajonit. Statistikat megjithatë flasin për një ulje në numrin e vizitorëve nga Maqedonia dhe Mali i Zi.
Ndërkohë, gjeografia e turistëve për muajin e Mars ka regjistruar rritje të rëndësishme në numrin e shtetasve që vijnë nga Gjermania (+36.4%), Anglia (+15.2%) dhe nga Zvicra (+12.8%).

Duke analizuar ecurinë e fillimvitit, për periudhën tremujorin e vitit, turizmi duket se po zhvillohet me një ritëm të lartë, duke regjistruar deri më tani rreth 75 mijë vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përbën një rritje prej 12.5% nga viti në vit.
Megjithatë, nëse marrim në konsideratë deklarimet e shtetasve të huaj për qëllimin e vizitës në vendin tonë, do të vëmë re një ulje prej 15.3% në numrin e individëve që vijnë për pushime. Natyra e vizitave ka filluar të zhvendoset më tepër tek takimet e biznesit dhe profesionale, qëllim të cilin e kanë deklaruar mbi 15 mijë shtetas të huaj këtë vit, në rritje me 27%.
Rritje po ashtu ka edhe në numrin e vizitorëve që vijnë për të takuar miq e të afërm, apo për të kryer një vizitë të shkurtër njëditore.
Sa i takon mënyrë së lëvizjes së qytetarëve të huaj dhe shqiptarë që kalojnë kufirin e vendit, transporti ajror vijon të ketë ecurinë më të mirë. Në Mars, rreth 191 mijë individë hynë apo lanë vendin nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit. Në rritje të lehtë janë edhe hyrje-daljet në rrugë tokësore, ndërkohë që individët që lëvizin me rrugë detare janë në rënie të konsiderueshme.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.