7500 aplikime për 5 mln euro – Të premten, afati i fundit për masat e investimeve
17 maji është afati i fundit për agrobizneset që aplikojnë për financime nga buxheti i shtetit për masat e investimeve në bujqësi, ndërsa afati për masat direkte ka përfunduar më 10 maj.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka hapur zyrtarisht aplikimet për fermerët më datën 23 Prill dhe janë depozituar rreth 7500 aplikime nga fermerët apo blegtorët për të përfituar grante nga masat e vogla direkte. Fondi që do të ndahet në total është rreth 5 milionë euro, ku afro 4 milionë euro do të përdoren kryesisht për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit, si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
1 milionë euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, dhe do të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit. Pas mbylljes përfundimtare të aplikimeve më 17 Maj, faza e përzgjedhjes së aplikantëve fitues pritet të zgjasë rreth dy javë. Ndërsa afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit shtesë nga ana e fermerëve, siç janë pagesa e sigurimeve shoqërore etj, do të zgjasë deri më 7 Qershor 2019.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.