8.9 miliardë lekë më shumë – Administrata fiskale rrit të ardhurat në buxhetin e shtetit
Administrata fiskale, ku përfshihen Tatimet dhe Doganat, ka arritur të mbledhë të ardhurat më shumë se një vit më parë në arkën e shtetit.
Referuar treguesve fiskalë paraprakë të Ministrisë së Financave, rezulton që gjatë 5 mujorit nga kjo administratë janë mbledhur 150.4 miliardë lekë, ose 8.9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më pare, kur janë arkëtuar rreth 141.4 miliardë lekë.
Sipas këtyre të dhënave të ardhurat nga tatimet janë në vlerën e 91 miliardë lekë, ndërsa nga doganat 59.3 miliardë lekë. Gjatë gjithë vitit të kaluar performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave tatimore dhe doganore ishte edhe shkaku kryesor i zëvendësimin të krerëve drejtues të këtyre institucioneve.
Por, duket se fillimi i këtij viti buxhetor ka ndryshuar trendin e ecurisë së dobët në mbledhjen e të ardhurave.
Të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë vazhduar në trendin rritës gjatë 5 muajve të parë, duke mbledhur më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Referuar krerëve të Financave publike, të cilët e analizojnë rritjen e të ardhurave më reformat e ndërmarra, duhet theksuar që efekt pozitiv ka patur dhe fakti qe ndryshoi qasja e administratës fiskale ndaj biznesit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.