8- mujori i OSHEE – U arkëtuan 42.7 mld lekë, borxhi zbriti në 49.5 mld lekë
Për periudhën janar-gusht Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka arkëtuar 42.7 miliardë lekë, ndërkohë që niveli i humbjeve ka zbritur në 27.5 në 28.1% që ishte vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të OSHEE, niveli i borxhit në fund të gushtit zbriti në 49.5 miliardë lekë, nga 67.8 miliard lekë që ishte për fatura të periudhës 2007-2014. Reduktimi i tij erdhi edhe si pasojë e zbatimit të skemave lehtësuese për pagesat me këste të detyrimeve.
Nga të dhënat e 8-mujorit 2017, prej Dhjetorit të vitit 2014, kur nis zbatimi i reformës, rezultojnë të jenë përfitues nga këto skema rreth 339 mijë abonentë, për një vlerë rreth 200 milionë dollarë.
Sipas OSHEE, gjysma e kësaj vlere reduktimi i takon kategorive në nevojë, si familje me ndihmë ekonomike, pensionistë mbajtës të kontratës, si dhe invalidët.
Ndërkaq, për periudhën 8-mujore ka një trend në rritje të energjisë së shitur dhe faturuar, çka ka ndikuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave për OSHEE.
Sasia e energjisë së shitur rezulton me rritje 2.7% ose 1,2 miliardë lekë, në raport me 8-mujorin e 2016-ës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.