8 vjet në NATO – Kodheli: Shqipëria, 2% të PBB shpenzime për mbrojtjen
Në 8-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli shprehet se Shqipëria është e gatshme të plotësojë detyrimet e saj për shpenzime për mbrojtjen prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në një takim me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, ministrja Kodheli tha Shqipëria është në nivelin mesatar krahasuar me vendet e tjera të NATO-s, por në rrugën e duhur për ta arritur detyrimin prej 2%.
Në fjalën e saj, ministrja vuri theksin edhe tek pjesëmarrja e misionet ndërkombëtare që rrjedhin si detyrim i të qenit vend anëtar i NATO-s.
Nga ana e tij, ministri Bushati vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet e NATO-s gjatë këtyre viteve, por edhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit.
Me marrjen e presidencës nga Donald Trump në SHBA, janë rritur disi presionet ndaj vendeve aleate të NATO-s për të plotësuar detyrimet prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë palët duket se kanë rënë dakord që këto shifra për mbrojtjen të plotësohen deri në vitin 2024.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.