80 milion euro kredi për ujësjellësit – Marrëveshja për investime në Kuvend, përfshihen 8 bashki të vendit
Qeveria shqiptare do të marrë 80 mln euro borxh për investime në ujësjellës-kanalizime. Marrëveshja e huasë mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe KFW për financimin e programit infrastruktura bashkiake V është dorëzuar në Kuvend për miratim, ndërkohë që në relacionin që shoqëron projektligjin saktësohet se qëllimi është të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe përmirësimin e performancës së shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve të bashkive të përfshira në program. Sipas relacionit, përcaktimi i bashkive është bërë sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të Ujësjellës-Kanalizimeve, si dhe nevojës për investime për të përmbyllur investimet e kryera në fazat e mëparshme të programit.
Më konkretisht, ky program do të përfshijë bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamzë, Berat, Kuçovë, Elbasan, Fier, Vlorë, ndërkohë që investimet që do të mbulohen nëpërmjet huasë, do të synojnë kryesisht ndërhyrjet në përmirësimin e aksesit dhe të qëndrueshmërisë më të madhe të trashëgimisë kulturore, pasurive natyrore si dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë territorin e vendit në kuadër të planeve zhvillimore lokale dhe të kritereve të lejueshmërisë së këtij programi.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime 2020-2030, qeveria planifikon që furnizmi 24 orë me ujë në të gjithë vendin të arrihet në vitin 2029, teksa sektori paraqet një sërë problematikash që kërkojnë financime të mëdha për të arritur këto objektiva. Sipas përllogaritjeve kosto e përgjithshme për investime në infrastruktureë arrin në rreth se 1,5 mld euro, ku kostot kapitale zëne 91% të totalit dhe kostot korente 9%.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.