80 mln euro për dixhitalizimin – Shqipëria, në garë me vendet e rajonit
Bashkimi Europian ka akorduar 80 milionë euro për dixhitalizimin e vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është në garë me gjashtë vendet e rajonit për të përfituar financimin e projekteve në axhendën e dixhitalizimit.
Komisionerja europiane për Shoqërinë dhe Ekonominë Dixhitale, Mariya Gabriel, vizitoi të martën Shqipërinë dhe së bashku me zëvendëskryeministren, Senida Mesi, zhvilluan një vizitë në mjediset e Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike, ADISA.
Zëvendëskryeministrja Mesi tha se çështjet kryesore të diskutuara me komisioneren Gabriel ishin siguria kibernetike dhe aftësimi i publikut për teknologjitë dixhitale.
Komisionerja Gabriel tha se zhvillimi teknologjik dhe dixhitalizimi do të jenë faktorë shumë të rëndësishëm që të rinjtë të besojnë tek e ardhmja në Shqipëri dhe do të frenojnë largimin e tyre jashtë vendit.
Komisionerja Gabriel theksoi edhe njëherë qëllimin që heqja e tarifave roaming të telefonisë celulare të shtrihet edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ende nuk ka detaje për etapat që do të ndiqen dhe afatet që do të kërkojë ky proces.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.