83.3 mln lekë për ‘uljen’ e borxhit – Ministria e Financave hap tenderin, kërkon asistencë këshillimore

Ministria e Financave kërkon të mirë menaxhojë financat dhe borxhin publik, duke harxhuar jo pak, por 83.3 milion lekë për marrjen e asistencës këshillimore. Agjencia e Prokurimit Publik ka hapur garën për kompanitë e interesuara, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 tetor.
Referuar njoftimit, ofertat mund të paraqiten edhe nga kompani të huaja, duke qenë se publikimi është bërë edhe në gjuhën angleze. Kjo nuk është hera e parë që ky dikaster hap procedura tenderuese për borxhin publik, por hapja e këtij tenderi vjen pas kritikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë drejtim.
Në njoftimin konkludues të Artikullit IV, publikuar pak javë më parë, FMN vlerësonte se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga partneriteti publik-privat mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndërkohë që, nuk është marrë parasysh nga qeveria, në parashikimin e saj që borxhi publik të zbresë në 63% të PBB-së deri në vitin 2021. Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.