9 mld lekë më shumë në buxhet – 9-mujori me suficit, 3.2 mld lekë më shumë investime
Buxheti i shtetit ka arkëtuar 329.2 miliardë lekë për 9 muajt e parë të vitit, apo rreth 9.2 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 98%. Sipas treguesve të konsoliduar fiskalë të publikuara nga Ministria e Financave, vihet re se të ardhurat nga tatimet dhe doganat zënë pjesën më të rëndësishme në buxhet, duke u regjistruar në vlerën e 290.5 miliardë lekëve apo 10.7 miliardë lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2017, ndërsa ka pasur një realizim në masën 99 për qind. Ndërkaq, dy kanë vijuar trendin e kontributit negativ në mbledhjen e të ardhurave janë TVSH-ja dhe tatim-fitimi.
Kështu, të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 105.3 miliardë lekë, apo 98.6% e planit. Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit. Rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja (EURO dhe USD) kundrejt monedhës vendase, ka dhënë gjithashtu efekte të ndjeshme negative në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave. Janë rimbursuar rreth 10.4 miliardë lekë, ose 14.5 për qind më shumë se 9-mujori i vitit 2017. Po ashtu, Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 24.4 miliardë lekë.
Kriza energjitike e vitit të kaluar ka dhënë efekte negative në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjitik, çka u reflektua në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar në vitin 2018. Zëri “Taksat Kombëtare”, ka tejkaluar planin me 155 milionë lekë, ku në total janë mbledhur 26.9 miliardë lekë. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tetë të vitit 2018, arritën në rreth 326 miliardë lekë me një realizim në masën 96.2 përqind të planit të periudhës, ku zëri i investimeve rezulton me rritje prej 3.2 miliardë lekë. Referuar treguesve, suficiti buxhetor është regjistruar në vlerën prej rreth 3.23 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.