9-mujori, shifër rekord e borxhit publik – Ministria e Financave: Rritje me 4.6% krahasuar me 2020, arriti në 1.28 trilionë lekë

Për tremujorin e tretë të vitit 2021, borxhi publik ka shënuar vlerën rekord prej 1.28 trilionë lekësh, afërisht 12.8 miliardë dollarë. Nga të dhënat zyrtare të sapo publikuara nga Ministria e Financave borxhi publike rezulton se me një rritje prej 4.6% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, kur totali ishte 1.22 trilionë lekë, afërsisht 12.2 miliardë dollarë.
Gjithsesi, treguesi vjen në rënie e matur në raport me produktin e brendshëm bruto. Kjo për shkak të rritjes së të ardhurave në buxhet gjatë fazës së parë të vitit 2021. Në fund të tremujorit të vitit actual, borxhi public është sa 76.1% i Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që një vite më parë, raporti me PBB ishte 77.8%.
Të dhënat tregojnë se Qeveria vijon të mbështetet shumë më tepër në bankat vendase për të marrë borxh se sa në institucionet ndërkombëtare. 41.4% e borxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto është marrë në tregun vendas, ndërkohë që pjesa tjetër prej 34.7% është huazuar jashtë kufijve.
Gjithsesi duket se gjerat do të ndryshojnë përgjatë muajve të mbetur të këtij viti. Qeveria ka deklaruar se ka ndër mend të hidhet në tregjet ndërkombëtare përmes një Eurobondi të ri. Është bëre gjithashtu me dije se përmes tij do të kërkohet një shifër e konsiderueshme borxhi me vlerë deri 700 milionë euro. Kjo do ta lehtësonte disi varësinë e fortë të qeverisë ndaj huamarrjes së brendshme. Ndërkohë që një shifër e tillë do të rriste ndjeshëm nivelin total të borxhit public, e cila aktualisht është rreth 10% më e lartë se në vitin 2019.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.