Gjermania, të ulë përdorimin e gazit – Shoqata e prodhuesve, qeverisë: Më shumë energji nga qymyri dhe bërthamore
Gjermania duhet të rrisë përdorimin e qymyrit dhe energjisë bërthamore duke kursyer djegien e gazit në prodhimin e energjisë elektrike për të ndihmuar në mbrojtjen e industrisë në rast se Rusia ndërpret furnizimin, deklaroi një grup që përfaqëson prodhuesit me energji intensive. “Ekziston një nevojë urgjente për të reduktuar menjëherë konsumin e gazit natyror, në mënyrë që të ruhen vëllimet e magazinimit dhe të arrihet qëllimi i niveleve më të larta të mundshme në vjeshtën e vitit 2022”, thekson grupi.
“Është shqetësuese që më shumë se dy muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, nuk ka ende përpjekje konkrete në Gjermani për të rritur prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet që nuk bazohen në gaz natyror”, thuhet në deklaratë. Ekonomia më e madhe e Europës aktualisht mbështetet në gazin rus me tubacione për pothuajse një të tretën e furnizimit të saj. Këto importe arritën në 142 miliardë metra kub në vitin 2021, kur sektori i prodhimit të energjisë në Gjermani mbështetej në djegien e gazit për 15% të prodhimit të tij.
Shoqata, e cila përfaqëson 300 kompani që përbëjnë 90% të prodhimit industrial gjerman, tha se përdorimi i impianteve të qymyrit duhet të vijojë përkohësisht gjatë krizës, ndërsa theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj objektivave afatgjatë të mbrojtjes së klimës. Ndërkohë, energjisë bërthamore duhet t’i jepet një vështrim tjetër kritik përpara heqjes së tre reaktorëve të mbetur në fund të vitit 2022.
Termocentralet e qymyrit duhet të lejohen të tregtojnë prodhimin e tyre dhe datat e mbylljes së këtyre impianteve gjatë dy viteve të ardhshëm duhet të zhvendosen në 2024. Një e treta e gazit të përdorur në Gjermani shkon në industrinë e saj të orientuar drejt eksportit dhe gjysma e shtëpive gjermane varen nga gazi për ngrohje. Prodhimi vendas i gazit siguron vetëm 5% të vëllimeve të nevojshme.
Blerta Lata / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.