Erdogan: Turqia nuk e mbështet Suedinë dhe Finlandën që të anëtarësohen në NATO!
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka vënë në dyshim anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke qenë se të dyja vendet janë në prag të aplikimit për t’u bashkuar me aleancën pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne po ndjekim zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi pikëpamje pozitive”, tha Erdogan për shtyp në Stamboll të premten. Hyrja në NATO për një shtet të ri anëtar kërkon miratimin me konsensus nga të gjithë anëtarët ekzistues.
Një diplomat i lartë amerikan tha se SHBA po punon për të sqaruar qëndrimin zyrtar të Turqisë për këtë çështje. Çështja do të diskutohet në takimin ministror të NATO-s në Berlin gjatë fundjavës, u citua nga Reuters në një telefonatë për shtyp më vonë të premten, Karen Donfried, ndihmës sekretare për çështjet e Europës dhe Euroazisë.
Turqia u bashkua me NATO-n në vitin 1952 dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe në aleancën prej 30 anëtarësh pas Shteteve të Bashkuara. Erdogan iu referua pritjes nga vendet nordike të anëtarëve të Partisë së Punëtorëve Kurdë, ose PKK, të cilën Turqia e klasifikon si një grup terrorist.
Suedia dhe Finlanda janë “shtëpia e shumë organizatave terroriste”, pohoi Erdogan. Suedia ka qenë mbështetëse e YPG-së kurde, dega siriane e PKK-së, gjatë konfliktit sirian. Ministrat e saj janë takuar me drejtuesit e YPG-së, gjë që Ankaraja e ka dënuar. CNBC ka kontaktuar ministrinë e jashtme suedeze dhe finlandeze për koment.
Erdogan gjithashtu iu referua pranimit të Greqisë nga NATO në 1952 si një “gabim”. Turqia dhe Greqia janë rivalë prej kohësh dhe kanë luftuar në konflikte kundër njëra-tjetrës edhe si anëtarë të NATO-s.
“Si Turqi, ne nuk duam të përsërisim gabime të ngjashme. Për më tepër, vendet skandinave janë bujtina për organizatat terroriste”, tha Erdogan. “Ata madje janë anëtarë të parlamentit në disa vende,” shtoi ai. “Nuk është e mundur që ne të jemi në favor.”
Në përgjigje të komenteve të Erdogan, ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto kërkoi durim dhe për ta marrë procesin “hap pas hapi”. Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde tha se ishte shumë e sigurt se oferta e anëtarësimit të vendit të saj do të merrte mbështetje unanime nga anëtarët e NATO-s.
Ndërsa Turqia e ka mbështetur Ukrainën duke i dërguar armë, veçanërisht dronët e saj vdekjeprurës Bayraktar, ajo deri më tani ka refuzuar t’i bashkohet aleatëve të saj të NATO-s në sanksionimin e Rusisë.
Ajo vazhdon të presë vizitorë dhe investime ruse. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha në fund të marsit se ai do të mirëpriste oligarkët rusë të sanksionuar në vendin e tij si turistë ashtu edhe si investitorë, për sa kohë që çdo marrëveshje biznesi mbahej brenda sferës së ligjit ndërkombëtar. Disa jahte që u përkasin oligarkëve rusë janë parë të ankoruar në portet turke. CNBC
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.