Gjykata e Lartë shkarkon mijëra dosje – Norma e evadimit 200% në 2022, por mbeten 34,806 në pritje. Vijnë mijëra të reja!
Ndërsa nga data 16 prill 2022, në Gjykatën e Lartë u emërua gjyqtari i 13-të i saj, dhe kolegjet e saj po punojnë me një ritëm evadimi çështjesh prej 200%, numri i stokut vijon të mbetet shumë i lartë. Deri më datë 31 maj 2022 rezultojnë plot 34,806 çështje gjyqësore në pritje për gjykim, ndërkohë që në shkurt numri i tyre ishte 35,562.
Gjatë periudhës 1 janar – 31 Maj 2022 janë shqyrtuar në total 1933 çështje, nga të cilat: – 722 çështje Administrative; – 544 çështje Civile; – 667 çështje Penale. Diçka më i ulët ka qenë ritmi i evadimit gjatë vitit 2021, kur Gjykata shkarkoi rreth 3,600 dosje. Kjo normë i detyrohet kryesisht numrit të kufizuar të gjyqtarëve përgjatë vitit të shkuar: deri në prill të vitit 2021 ajo ka funksionuar me vetëm 3 gjyqtarë, në periudhën prill-shtator 2021 ka funksionuar me 7 gjyqtarë dhe prej fundit të muajit shtator me 9 gjyqtarë.
Por edhe me ritmin prej 200% të evadimit të çështjeve, duket se duhet të presim shumë gjatë për të parë ulje domethënëse të stokut. Sipas të dhënave zyrtare të vetë Gjykatës së Lartë, çështjet e reja që janë regjistruar në Gjykatën e Lartë nga 1 janari 2021 kanë arritur në 2,847 deri në shkurt të vitit 2022, (nga të cilat 1340 civile, 547 administrative dhe 960 penale).
Shumë shpresa janë varur te një strukturë e posaçme të përbërë nga 12 Nëpunës për Uljen e Çështjeve, e cila në fillim të këtij viti ka kryer një proces inventarizimi të hollësishëm të rreth 23,000 çështjeve të prapambetura.
Falë kësaj analize Gjykata e Lartë ka mundur të filtrojë dhe gjykojë çështjet të cilat nuk plotësojnë kushtet formale për t’u shqyrtuar, përfshirë rekurset e paraqitura jashtë afatit ligjor, rekurset për çështjet ku vlera e padisë nuk kalon 40–fishin e pagës minimale (në fushën administrative) ose vlerën e padisë nën 150.000 lekë (në fushën civile), rekurset për të cilat është paraqitur kërkesa për heqje dorë etj.
Një shtysë positive në shkarkimin e stokut pritet të japë vendimi I Qeverisë për heqjen dorë nga rreth 3,800 rekurse që lidhen kryesisht me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, njohjen e vjetërsisë në punë, sidomos bëhet fjalë për kur vlera e padisë është më e vogël se 40-fishi pagës minimale. Gjithsesi, duket se duhen pritur vite që numri i dosjeve të shënojë rënie domethënëse.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.