Nafta tregtohet poshtë 120 dollarë për fuçi – Rimëkëmbje e lehtë, pas humbjeve me mbi 2% një ditë më parë
Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pas humbjeve të realizuara një ditë më parë. Çmimet po gjejnë një mbështetje të lehtë nga rritja e konsumit, gjatë sezonit të pushimeve, por edhe nga tkurrja e furnizimit të tregut.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 119 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 116 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, dy bençmarkët kryesorë ranë me 2%, pas vendimit të Rezervës Federale për të rritur normën bazë të interesit me 0.75 pikë përqindje, rritja më e madhe që nga viti 1994.
Investitorët vijojnë të jenë të fokusuar te furnizimi i shtrënguar i tregut, edhe për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, në një kohë që kërkesa po rimëkëmbet me shpejtësi.
Referuar të dhënave të tjera, prodhimi i naftës në SHBA, pas disa muajsh në stanjacion, u rrit me 100 mijë fuçi gjatë javës së kaluar, në totalin e 12 milionë fuçive në ditë, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2020. Gjithashtu, Administrata për Informimin mbi Energjinë njoftoi se rezervat e naftës bruto dhe të karburanteve të distiluara u rritën gjatë javës që u mbyll më 10 qershor.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.