“Jo recesion për të frenuar inflacionin” – Kreu i FED, Powell: Do vendosim çmimet nën kontroll dhe enëse rrezikon rënien e ekonomisë
Kreu i bankës qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jerome Powell u shpreh se Rezerva Federale nuk po përpiqet të krijojë një recesion për të ndaluar inflacionin, por është plotësisht e vendosur për të vënë çmimet nën kontroll edhe nëse kjo rrezikon një rënie ekonomike.
Ai shtoi se nuk është e nevojshme të provokohet një recesion, megjithëse e pranoi si një mundësi pasi situatat e krijuara muajt e fundit në të gjithë botën e kanë bërë më të vështirë uljen e inflacionit pa shkaktuar një të tillë.
Powell tha se është e rëndësishme që të ulet inflacioni për të pasur një periudhë të qëndrueshme të kushteve të mira të tregut të punës në mënyrë që të përfitojnë të gjithë. Ai theksoi se Rezerva Federale muajt e ardhshëm do të kërkojë prova bindëse të ngadalësimit të presionit si pasojë e rritjes së cmimeve, para se të lehtësohet rritja e normave të interesit që nisi tre muaj më parë.
Inflacioni vijon të rritet shumë mbi nivelin e synuar nga Rezerva Federale prej 2%. Një matës i rritjes së çmimeve që përjashton kostot e paqëndrueshme të ushqimit dhe energjisë mund të jetë lehtësuar disi muajin e kaluar, shtoi Powell, por pushtimi rus i Ukrainës dhe bllokimet e COVID-19 në Kinë po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi inflacionin në rritje.
Një javë më parë, Rezerva Federale rriti normën e saj bazë të interesit njëditor me tre të katërtat e një pikë përqindjeje – rritja e saj më e madhe që nga viti 1994.
Kjo mënyrë e rritjes së normës, e përdorur për të ngadalësuar ekonominë, ka shkaktuar shqetësime në të gjithë vendin për një recesion të mundshëm dhe dobësim të tregjeve të punës.
Powell përsëriti se politika e Rezervës Federale për rritjet e vazhdueshme të normave do të ishte e përshtatshme, ndërsa ritmi i duhur do të varej nga perspektiva ekonomike.
Kontratat e së ardhmes së normave të interesit u rritën pas deklaratave të Powell, duke ndryshuar disa nga pritshmëritë për rritje të tjera të mëdha të normave në katër takimet e mbetura të këtij viti për politikat e Rezervës Federale.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.