A do të ulet tatimi i dividentit? Biznesi “hedh në tavolinë” propozimet
Ndërsa qeveria po punon për paketën fiskale të vitit 2019 dhe në fund të muajit do të dalë me një draft final, një nga taksat që pritet të preken është ajo mbi dividentin, për të cilën aktualisht janë menduar dy variante, ulje në 8 ose në 10 për qind.
Po cili është propozimi i bizneseve?
Në një intervistë për TV SCAN, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, shprehet se sipërmarrja është rakorduar dhe kërkon që tatimi mbi dividentin të ulet në 9 për qind.
Nga ana tjetër, bizneset amerikane kërkojnë që qeveria të mendojë edhe zerimin e kësaj takse, për ti dhënë mundësi sipërmarrjeve që të rrisin investimet dhe të hapin më shumë vende pune.
Aktualisht, norma e tatimit mbi dividentin është 15 për qind. Tatimi mbi dividentin është rritur po nga qeveria “Rama” në vitin 2014 nga 10 në 15 për qind, ndërsa aktualisht por mendohet një ulje nën këtë prag edhe si një formë “kompensimi’ për sipërmarrjet.
Dividenti është fitimi që një korporatë u shpërndan aksionerëve të saj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.