A duhet të konsumojmë gjithnjë e më shumë energji për të qenë të lumtur?!

Si arritëm të kishim një kërkesë energjie prej 100,000 kWh në vit për frymë, duke përfshirë internetin, makinat, ngrohjen dhe gatimin, duke filluar nga një mijë kilovat që u duheshin paraardhësve tanë 2 milionë vjet më parë? Në faza të njëpasnjëshme, para së gjithash duke ushqyer atë organ që konsumon energji që është truri, kaluam nga savanat në Hënë!
Ekzistojnë dy lloje të organizmave të gjallë në planet: autotrofët, të cilët e marrin energjinë e tyre nga mjedisi (siç janë bimët nga rrezet e diellit), dhe heterotrofët, të cilët marrin energji nga organizmat e tjerë të gjallë (siç janë kafshët). Pastaj jemi ne njerëzit, superheterotrofët sepse, ndryshe nga kafshët e tjera, ne nuk e përdorim energjinë vetëm për të mbajtur veten – dhe mbi të gjitha trurin tonë, i cili nëse si të rritur na kërkon 25% të energjisë që i japim trupit, për një gjashtëvjeçar nevojitet 60 për qind. Ne kemi nevojë për energji për të vepruar.
Familja e madhe e hominidëve nuk ka qenë gjithmonë super e etur për energji. Bazuar në studimet e fosileve dhe gjetjet e paraardhësve tanë, vlerësohet se hominidet e parë duhet të kenë pasur një kërkesë energjie prej rreth 500-1500 kWh në vit për frymë, kryesisht të destinuara për metabolizmin bazik. Ndërmjet tre dhe dy milionë vjet më parë ndodhi ndryshimi i parë, kur hominidët filluan të ndërtonin veglat e para prej guri dhe kishin nevojë për më shumë energji – e cila shkoi në 1,500-2,500 kWh / vit – për të ruajtur veten dhe aktivitetin e tyre.
Kërkesa e përgjithshme për energji për gjithçka që nevojitet për jetën e përditshme rritet gjithnjë e më shpejt: në mesjetë një person kishte nevojë për rreth 10,000 kWh në vit, por me aftësinë për t’u përdorur në industri dhe lëndë djegëse fosile më efikase, me Revolucionin e parw Industrial, mesatarja u rrite në 30,000 kWh në vit. Djegia e drurit dhe energjia shtazore nuk na mjafton më, dhe fillojmë të djegim qymyr, e më pas edhe gaz dhe naftë. Revolucioni industrial ushqen mirëqenien, por përforcon pabarazitë sociale.
Sipas një vlerësimi, sot secili prej nesh konsumon mesatarisht mbi 100,000 kWh në vit: ky është çmimi që duhet paguar për të jetuar në një botë të qytetëruar, ku vetëm interneti kontribuon me 7% në konsumin global të energjisë – energjisë elektrike, në këtë rast. – (dhe ndoshta do të trefishohet në vitet e ardhshme). Nëse do të kishim mbetur një shoqëri rurale do të konsumonim më pak, por në kushtet aktuale etja jonë për energji do të rritet më tej, dhe deri në vitin 2050 do të na duhen tre planetë si Toka për të plotësuar nevojën tonë për energji dhe burime.
Ne jemi të varur nga energjia: nuk mund të ndalojmë së konsumuari. Kur shfaqet varësia, ka dy zgjidhje: rritja e dozës (që në këtë rast nënkupton kërkimin e burimeve të reja të energjisë) ose detoksifikimi, dhe terapia e detoksifikimit të energjisë është e vetmja mënyrë për të shpëtuar veten dhe planetin ku jetojmë. Një rrugë shumë e vështirë për t’u ndjekur. Megjithatë, çmimin nuk do ta paguajmë ne, por brezat e ardhshëm, të cilëve do t’u dorëzojmë një Planet gjithnjë e më të konsumuar nga prania jonë. FOCUS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.