A e rrezikon inteligjenca artificiale vendin tënd të punës?
Në vitet e fundit janë bërë përparime të mëdha në fushën e inteligjencës artificiale. Ajo është ende në faza fillestare, por lajmet nga dy kompani shumë të mëdha, si “Accenture” dhe “Infosys”, ku përkatësisht janë zhvendosur nga puna, për shkak të automatizimit, 17 mijë dhe 9 mijë persona në secilën, tregon se inteligjenca artificiale po arrin një ndikim të madh në shoqëri, e sidomos në sektorin e punësimit. Në të gjithë botën ndodhin pushime nga puna, apo zëvendësime dhe “përligjen” si të mundshme, kur numri i personave të përfshirë në çështje është i vogël, por me përhapjen e valës së inteligjencës artificiale pritet të shihet një numër i madh njerëzish, të cilët do të humbasin punën nëpër botë, për shkak të automatizimit.
Nga hulumtimet e bëra nga Forumi Ekonomik Botëror është arritur në përfundimin se, shumica e njerëzve të përfshirë në studim presin që inteligjenca artificiale, të jetë përgjegjëse për eliminimin e rreth 80% të vendeve të punës. Gjithsesi, kur ata janë pyetur rreth punës që bëjnë, 20% e tyre kanë thënë se puna e tyre është në rrezik nga robotizimi. A ndodhen me të vërtetë në rrezik vendet e punës nga inteligjenca artificiale? Cili është ndikimi i saj në të ardhmen e shoqërisë dhe edukimit?
“Deep Learning”, apo në shqip, “Të mësuarit e thellë” është teknika e re, e cila është zhvilluar me një kuptim më të mirë të arkitekturës së trurit dhe ka krijuar një shtysë te inteligjenca artificiale. Kjo lloj teknike është përdorur te motori i kërkimit “Google“, te “Amazon Go“, te “Siri“ në “Apple“, te makinat me pilot automatik “Tesla“, etj. Nga njëra anë, inteligjenca artificiale ka një ndikim pozitiv në jetët tona, por, nga ana tjetër, ajo ngre edhe pikëpyetjen e madhe që është bërë së pari rreth 200 vjet më parë: A po i zhduk ajo vendet e punës? Kjo pyetje ka lindur, së pari, përgjatë mekanizimit të bujqësisë, e duke filluar që atëherë, është ribërë përgjatë Revolucionit Industrial. Në të dy këto raste, shqetësimet e shprehura nga njerëzit kanë qenë të gabuara, pasi ndikimi ka qenë më i madh te krijimi i vendeve të punës, sesa te ato që janë humbur.
Një numër i vogël ekspertësh mbështesin këtë ide, pasi mendojnë se mund të ndodhë e njëjta gjë. Çdo herë që njerëzit përballen me kërcënimin për humbjen e vendeve të punës, ata e zhvillojnë veten në një nivel të ri. Në kohën kur ndodhi mekanizimi, njerëzit përparuan, duke bërë punë të kualifikuara. Më pas, kur ndodhi Revolucioni Industrial, njerëzit u zhvendosën te punët që kishin nevojë për njohuri. Në kohët e sotme, kompjuterët janë duke përparuar ndjeshëm dhe janë gati për të bërë edhe punët që kërkojnë njohuri njerëzore. Në këtë fazë, për fat të keq, njerëzit nuk kanë evoluar në një nivel tjetër dhe për këtë arsye ekziston rreziku i humbjes së vendeve të punës, pasi shumica e këtyre të fundit pritet të automatizohen.
Cilat nga vendet e punës janë të sigurta nga inteligjenca artificiale?
Makinerive iu duhet një rrugë e gjatë për të arritur gjendje emocionale, si dhe ndërgjegjje, pra, në këtë drejtim, nuk do të ketë humbje të vendeve të punës. Si shembuj mund të merren psikologët dhe avokatët. Te këta të fundit pritet të ketë eliminime, pasi puna paraligjore do të bëhet nga makineritë, por, sërish, avokatët do të duhen, për të argumentuar përballë gjykatësve. Po ashtu, edhe puna e gjyqtarëve nuk do të automatizohet, pasi nuk mendohet se ka ardhur koha që makineritë të gjykojnë njerëzit. Punët, të cilat kërkojnë përdorim, kryesisht të lobit të djathtë të trurit, siç janë muzika, poezia, piktura, etj, do të vazhdojnë të ekzistojnë, madje do të lulëzojnë.
Çfarë lidhje ka kjo me shoqërinë?
Në kohët e sotme është zgjeruar ndjeshëm hendeku i pabarazisë sociale, pasi ndryshimi midis të pasurve e të varfërve është theksuar dhe kjo çon në trazira sociale. Qeveritë do të fillojnë të flasin rreth të ardhurave bazë universale, ku çdo qytetar do të fillojë të ketë një standard pagese nga qeveria, pavarësisht statusit të tij. Finlanda, së fundmi ka filluar një projekt pilot të tillë, e ajo ndiqet pas nga Skocia. Pritet të ketë debate të ndjeshme, mbi atë çka i bën njerëzit më indiferentë, apo që të ndërmarrin rreziqe më të mëdha. Zvicra, në mënyrë aksidentale, ka refuzuar një referendum mbi të ardhurat bazë universale, pasi, duke parë papunësinë e madhe në shoqëri, do të ndikojë në jetët e njerëzve, si dhe do të ketë pasoja në sektorë, si pasuritë e paluajtshme. Njerëzit duhet të riaftësohen dhe të zgjerojnë edhe më tej njohuritë e tyre, në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo kërkon rishikimin e plotë të procesit të arsimimit.
A jemi të përgatitur mirë për të ardhmen, duke parë këto ndryshime të theksuara?
Në çfarë shoqërie do të jetojmë? Njerëzit, të cilët kanë qenë mbizotërues në këtë planet, e kanë bërë këtë, për shkak të aftësive. Kohët e sotme, planeti duhet ndarë me specie të tjera, që i kanë krijuar vetë njerëzit, siç janë makineritë me aftësi, të njëjta, apo më të mira, në fusha të caktuara. A do të jetë e paqtë kjo ekzistencë? Çfarë lloj arsimimi do t’u japim fëmijëve tanë? Shumica e aftësive që po kultivojmë te brezat e ardhshëm mund të mos jenë të nevojshme pasi ata të rriten. Vendimmarrja është një prej aftësive të rëndësishme që kontrollojnë jetët tona. Në momentin kur makineritë e inteligjencës artificiale do të fillojnë të marrin vendime për ne, (për të na shërbyer më mirë), njerëzit do të fillojnë të përjetojnë humbjen e kontrollit të jetëve të tyre dhe të ndihen si makineri. Me përhapjen e botës digjitale, një sektor që do të lulëzojë dhe do të krijojë vende pune është bujqësia. Duke parë rritjen e pritshme të popullsisë së botës, nga 7 miliardë, në 9, deri në vitin 2030, si dhe sfidat në prodhimin e ushqimeve, për shkak të ndryshimeve klimatike, shumica e njerëzve do të synojnë bujqësinë. Ky artikull ngre më shumë pikëpyetje, sesa përgjigje, por njerëzit duhet të jenë në dijeni të zhvillimit të inteligjencës artificiale, për t’iu përgjigjur asaj kur t’i vijë koha.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.