A është Rusia gati për të pritur Kupën e Botës 2018?

Vetëm 100 ditë para nisjes së Kupës së Konfederatave, një turneu të FIFA-s që paraprin Kupën e Botës, sa gati është Rusia për të pritur eventin sportiv më të madh në botë?
Qëkurse fitoi të drejtën për të mbajtur kompeticionin 10 miliardë dollarësh, Rusia nuk e ka patur të lehtë.
Vetë votimi sekret në vitin 2010, ku mundi Anglinë, Portugali/Spanjën dhe Holandë/Belgjikën, është parë me dyshim dhe detyroi FIFA-n të kryente hetime për korrupsion, që mund të ketë ndikuar në procesin e votimit.
Kultura e fansave të futbollit në Rusi, gjithashtu lë vend për skepticizëm për shkak të huliganizmit dhe racizmit ndaj lojtarëve me ngjyrë. Vetëm një vit më parë, gjatë Euro 2016, tifozët rusë shkaktuan një incident brutal në Marsejë me tifozët e Anglisë, ku 100 fansa u plagosën, ndërsa 30 të tjerë u dërguan në spital.
Policia është shprehur se është e përgatitur për të parandaluar incidente të tilla, ndërsa FIFA ka shprehur besim në organizimin që po bën qeveria ruse.
Ndërkohë autoritetet në Rusi kanë lëshuar mjete identifikimi për fansat rusë, në përpjekje për të dekurajuar huliganizmin. Çdo mbështetës i kombëtares ruse do të duhet të mbaje një dokument me fotografinë e tij dhe të dhëna të tjera.
Gjithsesi mbetet problemi i racizmit, i cili ka qenë gjithmonë i pranishëm në stadiumet e Rusisë. Sulmuesi brazilian Hulk është shprehur më parë se pothuajse në çdo ndeshje që ka luajtur për Zenitin, është përballur me racizmin.
Por Rusia është gjithashtu një vend ku minoritetet seksuale diskriminohen. Në lojërat olimpike dimërore në Sochi, qeveria ndaloi “promovimin e seksualitetit jo tradicional”.
Sa i përket infrastrukturës, stadiumet në Rusi kanë kaluar së fundmi inspektimet dhe konsiderohen gati për eventin. Së fundmi stadiumi i Shën Petersburgut u shfaq për publikun, pas një dekade nën ndërtim, kostoja e të cilit mendohet të jetë 48 miliardë rubla (738 milionë dollarë).
Megjithatë, kostoja totale e këtij eventi në Rusi ka kushtuar rreth 10 miliardë dollarë, 5 miliardë më pak se Botërori 2014 në Brazil dhe shumë herë më i lirë se lojërat olimpike të cilat kushtuan 50 miliardë dollarë.
Ndonëse ndërtimi i stadiumeve kushtoi shumë më pak se në Brazil, biletat për tifozët e huaj do të jenë 16% më të shtrenjta se në Brazil, ndërsa bileta më e lirë për ndeshjet e grupeve do të jetë 105 dollarë.
Tifozëve rusë do t’u jepen bileta në vlerën e 20 dollarëve, por ata nuk duken shumë të entuziazmuar pas performancës së dobët të kombëtares së tyre. Rusia ka fituar vetëm 2 nga 10 ndeshjet e fundit, madje u mund në nëntor nga Katari me rezultatin 2-1.
Tashmë Rusia duhet të provojë veten në Kupën e Konfederatave, përballë Portugalisë, Zelandës së Re, Australisë, Meksikës, Gjermanisë, Kilit dhe Kamerunit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.