A i duhet Ballkani Europës? – FT: Sot, diferenca të mëdha, por historia flet ndryshe
“Financial Times” ka bërë një analizë të zgjeruar për vendet e Ballkanit Perëndimor, që mban titullin: “Çfarë diference do të bëjë Ballkani Perëndimor në Europë?”.
Shkrimi i prestigjiozes fillimisht vë në pah ekonominë mjaft të vogël të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, në më pak se 1% të PBB së Europës, duke dashur të thotë se, këto vende, me këtë lloj ekonomie, nuk kanë çfarë i hynë në punë Europës. Por, më vonë shkrimi analizon se ndryshim kanë këto vende sot me Bullgarinë dhe Rumaninë, 7 vite përpara anëtarësimit të tyre. Dhe në këtë pikë, rezultatet e analizës janë mbreslënëse.
Në terma popullsie, vetëm 18 milionë, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një numër më të vogël banorësh se Rumania. Me të hyrë në BE, 5 nga këto vende, përfshirë Shqipërinë, thotë “FT”, do të ishin në listën e 8 ekonomive më të vogla të Europës. Përjashtim të vetëm bën Serbia, me një ekonomi më të madhe se Kroacia apo Lituania.
Sa i përket PBB për frymë ndërkohë, mesatarja e rajonit është sa 1/3 e Europës. Por këtu vlen të shtohet fakti se, edhe mes vendeve të rajonit ka diferenca të theksuara, si në rastin e Shqipërisë, që mbetet mbrapa fqinjëve. Por, 7 vite përpara anëtarësimit në union, Bullgaria dhe Rumania kishin një PBB për frymë në krahasim me Bashkimin Europian më të ulët se, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia apo edhe Shqipëria kanë sot.
Pra, në këtë drejtim, shpresat janë të shumta, jo vetëm për Bashkimin Europian, por edhe për këto vende, të cilat me anëtarësimin pritet të përjetojnë një bum ekonomik, sidomos në drejtim të të ardhurave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.