A janë fallco atletet tuaja origjinale? Ja mallrat më të kontrabanduara në Europë

Janë mbi 41 milionë produkte të falsifikuara e kontrabandë të sekuestruara nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2016. Shifrat e fundit të vëna në dispozicion nga Komisioni Europian tregojnë se këto mallra, të cilat janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që qarkullojnë në tregjet e mbarë kontinentit, kanë një vlerë prej 670 milionë eurosh.
Cigaret janë malli më shumë i kontrabanduar për sa i përket numrit të artikujve të sekuestruar, me sasi të mëdha me origjinë nga Vietnami dhe Pakistani.
Ndërsa në vendit e dytë janë lodrat e fëmijëve, një treg që në Bashkimin Europian kap vlerën e 15.8 miliardë eurove. Kina zë vendin e parë për prejardhjen e mallrave të falsifikuara, me 4 nga çdo 5 artikuj. Lodrat zënë vendin e dytë edhe për vlerën që do të kishin në treg.
Ndërsa dëmi më i madh ekonomik për xhepat e konsumatorëve europianë për shkak të falsifikimit duket se vjen nga kategoria e orëve, të cilat kapin një vlerë tregu prej 109 milionë eurosh.
Mallrat që ndjekin me vlerë më të madhe janë çantat dhe kuletat e falsifikuara, dhe parfumet e produktet e tjera kozmetike, me përkatësisht 69 dhe 55 milionë euro.
Megjithatë, të ndara sipas numrit të procedurave të ndjekura, pra më shumë importeve nga tregtarë të veçantë, mallrat që kryesojnë janë atletet sportive dhe veshjet. Vetëm atletet përllogaritet se do të shiteshin për mbi 46 milionë euro, ndërsa rrobat, pa përfshirë aksesorët, për 44.8 milionë euro.
Nëse i referohemi edhe raportit të OECD dhe Europol, që thotë se Shqipëria është një nga katër portat hyrëse kryesore për mallrat kontrabandë dhe të falsifikuara në Europë, atëherë është shumë e mundshme që një pjesë e mirë e këtyre mallrave t’i jenë drejtuar edhe tregut tonë të brendshëm.
Për vitin 2016, Irani ishte vendi më i madh i origjinës për aksesorë veshjeje, Singapori për pije alkoolike të kontrabanduara, Hong Kongu ishte lider në aparatet celularë dhe India ishte në krye të listës për ilaçe kontrabandë.
Shtetet me numrin më të madh të rasteve të sekuestrimit të këtyre mallrave ishin Belgjika dhe Gjermania.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.