A janë ujrat e thella të deteve, e ardhmja e energjisë së rinovueshme?! – SCAN MAGAZINE
Energjia elektrike, vijon të mbetet një prej shqetësimeve më të mëdha dhe sidomos ajo që vjen nga burimet e rinovueshme. Burimet në botën tonë nuk janë të pafundme dhe si të tilla, do të vijë një ditë kur të harxhojmë disa prej tyre, veçanërisht nëse insistojmë në përdorimin e burimeve të tilla si qymyri, për të fuqizuar termocentralet tona. Kjo është arsyeja pse shumë vende kanë filluar të kërkojnë zgjidhje më të qëndrueshme, të tilla si diellore, hidro, apo energji nga era. Në fakt, Skocia duket të jetë një shembull kryesor se sa efiçente është energjia e erës sepse turbinat me erë të Skocisë në të vërtetë kanë arritur të gjenerojnë energji të mjaftueshme ku është e aftë të furnizoj me energji shtëpitë, dy herë për një vit.
Në kepin më lindor të Skocisë, gjendet parku Hywind”, i cili gjeneron energji elektrike të mjaftueshme për më shumë se 20,000 shtëpi, dhe është grupi i parë i energjisë që buron nga deti. Mirëpo, teknologjia paralajmëron një brez të ri të energjisë së gjelbër dhe ajo që është novatore në lidhje me projektin Hywind, është që turbinat gjigande prej betoni, të qëndrojnë drejt mbi ujë, ashtu si një vozë peshkimi. Bazat cilindrike të gati 10,000 tonëve të turbinave janë mbajtur në vend, me tre kabllo ankorimi të tendosur të bashkangjitur në spiranca, të cilat shtrihen në shtratin e detit. Në ndryshim nga turbinat e zakonshme të erës në det të hapur, me kulla të gjata të zhytura në shtratin e detit dhe të vendosura në vend në det të cekët, përparësia e turbinave lundruese është se ata mund të kenë pjesë të mëdha të ujërave oqeanike , deri në gjysmë milje të thellë, ku fryjnë erërat më të forta dhe më të qëndrueshme në botë.
Në Europë, ku dendësia e turbinave të erës në tokë dhe afër bregut në vende si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia ka nxitur kundërshtimin në rritje ndaj vargjeve të reja të turbinave lundruese, që mund të instalohen gjatë horizontit, larg syve të banorëve të bregdetit.
“Energjia lundruese e erës ka një potencial të madh për të qenë një teknologji thelbësore për arritjen e qëllimeve klimatike në Europë dhe në botë”, thotë Frank Adam, një ekspert i teknologjisë së energjisë së erës në Universitetin e Rostock në Gjermani.
Hapësira oqeanike përtej arritjes së turbinave konvencionale në det të hapur përbën 80% të ujërave detare të botës, duke hapur rrugën për vargjet lundruese, thotë Adam. “Në vitet e fundit kjo teknologji ka bërë përparime të mëdha dhe Hywind tregon se mund të funksionojë si një park i tërë”
Disa ekspertë të energjisë së rinovueshme mbeten skeptikë se kostot e larta të turbinave të erës lundruese në det do të zbresin mjaftueshëm për të rivalizuar teknologjitë e tjera të energjisë së pastër. Aktualisht energjia elektrike që ata prodhojnë shpesh është pothuajse dy herë më e shtrenjtë se turbinat e erës afër bregut dhe tre herë ajo e turbinave me erë me bazë tokësore. Ndërkaq, ndërtimi i këtyre parqeve është mjaft i kushtueshëm, njëjtë si dhe vendosja apo mirëmbajtja e tyre. Sa i takon jetëgjatësisë së stacioneve, ajo është më e shkurtër për shkak të natyrës gërryese të mjedisit detar.
Skocia, e cila aspiron të mbulojë të gjitha nevojat e saj për energji elektrike me burime të rinovueshme këtë vit, ka parqe të reja lundruese në punë por mbrojtësit e vargjeve të erës lundruese vërejnë se kostot e energjisë së erës në tokë dhe pranë bregut kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme pasi efikasiteti i këtyre teknologjive është në rritje; të njëjtat tendenca, sipas ekspertëve, ka të ngjarë të ulin kostot e erës lundruese të detit.
‘’Hywind Scotland’’, ka qenë funksional për gati tre vjet dhe mbeti në det duke gjeneruar energji gjatë Uraganit Ophelia në 2017 dhe gjatë stuhive të tjera të ashpra të dimrit me erëra mjaft të forta.
Projekte të tjera lundruese të erës, disa me turbina më të mëdha se Hywind, tani po ndërtohen në Europë dhe Japoni. Në Portugali, projekti WindFloat Atlantic, tani në ndërtim e sipër, pritet të prodhojë energji të mjaftueshme për 60,000 shtëpi kur të përfundojë përgjatë këtij viti.
Sakaq, edhe Franca synon energjinë e erës lundruese në planet e saj për energji të pastër dhe thotë se qëllimi i tyre është të jetë një lider botëror në vendosjen e kësaj teknologjie.
Skocia, e cila aspiron të mbulojë të gjitha nevojat e saj për energji elektrike me burime të rinovueshme këtë vit, ka në ndërtim parqe të tjera të reja lundruese, duke përfshirë një në jug të Skocisë. Walt Musial, një ekspert i energjisë së erës në det të hapur në Laboratorin Kombëtar të Energjisë së Rinovueshme, një institut kërkimor i financuar nga qeveria e SHBA, thotë se në Shtetet e Bashkuara ujërat bregdetare në të dy anët e vendit shpesh janë shumë të thella për turbinat e erës konvencionale në det të hapur. Gati 60% e vendeve të përshtatshme të erës në det të hapur, vëren ai, ekzistojnë në vende në thellësi mbi 60m. Kjo krijon edhe një mundësi për teknologjitë lundruese të energjisë së erës.
Ndërsa Wen Cheng, kreu i një projekti kërkimor ndërkombëtar mbi energjinë e erës lundruese në Universitetin e Stuttgart, thotë se turbinat lundruese mund të prodhojnë më shumë energji sesa teknologjitë më të mëdha në det të hapur. Jo vetëm që erërat në ujërat më të thella janë më të fuqishme se ato më afër bregut, thotë ai, por fizika e pajisjeve fleksibël, të pezulluara u mundëson atyre që të mbajnë turbina më të mëdha.
Industria e naftës dhe gazit ka përdorur njohuri të ngjashme detare për dekada. Ashtu si vargjet konvencionale të erës në det të hapur, turbinat lundruese transmetojnë energji elektrike në lidhjet e rrjetit bregdetar përmes kabllove nënujore. Energjia e gjelbër do të jetë e nevojshme në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në planet ambicioze të Europës për të normalizuar nivelin e karbonit deri në vitin 2050, energjia e erës e të gjitha llojeve figuron dukshëm si një zgjidhje.
Megjithëse parqet e erës në tokë janë zgjidhja me kosto më efektive, ato kanë hasur kundërshtim të ashpër nga aktivistët, të cilët kundërshtojnë faktin që ato prishin peizazhin, afërsinë me shtëpitë e tyre dhe ndikimin në natyrë, veçanërisht tek zogjtë. Në disa vende, të tilla si Gjermania dhe Norvegjia, kundërshtimi i qytetarëve ka ndaluar gati ‘’erën në tokë’’. Fermat e erës në det të hapur në Detin e Veriut, Detin Baltik kanë rritur ndjeshëm prodhimin e energjisë së pastër në Europë dhe e kanë ulur çmimin në një nivel konkurrues me lëndët djegëse fosile. Por prodhimi aktual i Europës në det të hapur është afërsisht 5-10% e furnizimit me energji të erës që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) dhe Bashkimi Europian thonë se Europa duhet të arrijë deri në 2050 për të përmbushur qëllimet e saj sipas Marrëveshjes së Parisit. Problemi është se një rritje masive e vargjeve të erës pranë bregut thjesht nuk është e realizueshme, pjesërisht për shkak të kundërshtimit në rritje nga flotat e peshkimit, grupet e ruajtjes dhe banorët pranë bregdetit.
Investitorët dhe kompanitë e energjisë së rinovueshme thonë se pengesa më e frikshme për shpërndarjen në shkallë të plotë të vargjeve të erës lundruese është njohja nga qeveritë, ndërmarrjet dhe financuesit se teknologjia është e zbatueshme dhe se kostot do të bien në mënyrë të pashmangshme.
Adam, ekspert i Universitetit të Rostock thotë se është e lehtë të prodhosh një ose gjysmë duzinë turbina lundruese, por 10 ose 20 apo 100, kërkon një punë shumë herë më të madhe; kërkon zinxhirë furnizimi, kantiere detare dhe porte që mund të trajtojnë struktura kaq të mëdha dhe fabrika për prodhim në seri. Pavarësisht nga këto sfida, premtimi për të shfrytëzuar kaq shumë dete për prodhimin e energjisë së rinovueshme mbetet një propozim joshës. Siç ka vërejtur IEA, në teori, vetëm energjia e erës në det të hapur mund të përmbushë të gjitha nevojat për energji elektrike të Europës, SHBA dhe Japonisë në masa të mjaftueshme.
Elefteria Zguri / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.