A mori “mësim” bujqësia nga kriza? – Strategjia/ Mbështetje për kulturat me fitim, skemat e reja që do të aplikohen!

Edhe pse kontributi në Prodhimin e Brendshëm Bruto është rreth 21 për qind, sektori bujqësor në vend përballet me sfida të mëdha dhe me një rrezik migrimi shumë të lartë për sa kohë të ardhurat mbeten kryesisht në nivel shumë më të ulët krahasuar pagat mesatare në qendrat urbane në Shqipëri. Ndërkohë që vlerësohet se aktulisht 100 mijë hektarë janë djerrë. Lufta Rusi-Ukrainë, nxori në pah edhe defektet e “fshehura” që ka sektori bujqësor, të cilat janë pasyqruar edhe në Strategjinë 2021-2027 të hartuar nga Ministria e Bujqëisë dhe që tashmë është hehdur për konsultim.
Megjithatë disa nga këto problematika nuk janë reflektuar, siç është orientimi drejt prodhimit të drithrave, duke hequr varësinë nga importi. Në dokument, i jepet prioritet kulturave bujqësore me fitim dhe rritjes së eksporteve, edhe pse që nga viti 2015 deri në 2020 ka një rënie të sipërfaqeve të kultivuara me grurë në afro 15 për qind. Me qellim rivitalizimin e bujqësisë, shmangien e shpopullimit dhe kthimin në një sektor tërheqës edhe për të rinjtë, Ministria e Bujqësisë paarashikon disa ndërhyrje kryesore.
Konkretisht, është menduar mbështetje kalimtare për të ardhurat për sektorët e orientuar nga tregu nën Organizimin e Përbashkët të Tregut (perime, fruta dhe ullinj); ku përfitues janë fermerët, përdorues të tokës bujqësore. Mbështetja publike do të jetë më e lartë për fermat e madhësisë të mesme dhe pagesat duhet të bëhen çdo vit, për ha; Mbështetje e të ardhurave për fermën sipas kriterit të sipërfaqes bujqësore të shfrytëzuar; Mbështetja e të ardhurave për fermën për krerë të kafshëve; Kompensim për naftën në bujqësi ku përfitues janë përdoruesit e tokës bujqësore, pronarët e kafshëve dhe pronarët e traktorëve.
Për kulturat/grupet e kulturave dhe kafshët, konsumi standard i karburantit të naftës do të llogaritet për ha dhe për krerë të kafshëve. Kompensimi mbulon të gjitha taksat që lidhen me përdorimin e naftës, sipas vlerësimit të konsumit të karburantit nga ferma, bazuar në sipërfaqen e fermës dhe numrin e kafshëve. Deri në vitin 2027 parashikohen të përfitojnë 38 mijë ferma. Skema e cilësisë së qumështit është një tjetër ndërhyje, ku parashikohen pagesa direkte për çdo litër qumështi të dorëzuar në një fabrikë/njësi përpunimi, me një nivel të çmimit në varësi të cilësisë së tij. Po ashtu, do të ndërhyhet edhe me grantet për investime në asetet fizike të ekonomive bujqësore.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.