A mund të ‘varrosim’ dioksidin e karbonit nën oqean?!

Në përpjekje për të kufizuar efektet e ndryshimeve klimatike, nga njëra anë, ne po punojmë për të reduktuar emetimet e CO2, dhe nga ana tjetër po mendojmë për eliminimin e dioksidit të karbonit tashmë të pranishëm në atmosferë. Si? Për shembull, duke e varrosur nën oqean: po studiohet një mënyrë për të ruajtur CO2 në sedimentet nën dyshemenë e oqeanit. Në teori, pasi të ruhet, dioksidi i karbonit nuk duhet të largohet më për shkak të presionit të ujit. Por pyetja e shkencëtarëve është “sa kohë mund të qëndrojë i bllokuar në sedimente?”. Një përgjigje tani vjen nga një studim i botuar në Chemical Engineering Journal.
Studiuesit nga Departamenti i Inxhinierisë Kimike dhe Biomolekulare të Universitetit Kombëtar të Singaporit kanë demonstruar në mënyrë eksperimentale stabilitetin e hidrateve të dioksidit të karbonit në sedimentet e oqeanit. Hidratet formohen kur dioksidi i karbonit përzihet me ujin në presion të lartë dhe temperaturë të ulët, që janë pikërisht kushtet që ekzistojnë në fundin e oqeanit. Me fjalë të tjera, krijohet një substancë e ngjashme me akullin që funksionon si një dhomë e ftohtë ku pjesa e jashtme përbëhet nga molekula uji dhe pjesa e brendshme e dioksidit të karbonit.
Sipas studimit, deri në 184 metra kub dioksid karboni mund të ruhen në një metër kub hidrate. Praveen Linga, kreu i ekipit hulumtues, shpjegon: “Rezultatet tona rrjedhin nga një punë unike eksperimentale, por shpresojmë që ajo që është marrë do të stimulojë kërkime të mëtejshme që konfirmojnë studimet tona.”
Studiuesit rikrijuan kushtet e presionit dhe temperaturës që ekzistojnë nën qindra metra ujë dhe dhjetëra metra sediment në të cilin janë bllokuar hidratet e dioksidit të karbonit. Pas një periudhe prej 30 ditësh nuk kishte pasur asnjë ndryshim të hidrateve që iu nënshtruan eksperimentit. “Për të pasur një siguri të mëtejshme, megjithatë, do të ishte e nevojshme t’i nënshtroheshin hidrateve në periudha më të gjata eksperimentimi”, shpjegon Linga, “edhe nëse nga të dhënat tona situata nuk duhet të ndryshojë me kalimin e kohës”.
Ekipi hulumtues tani do të punojë për të demonstruar qëndrueshmërinë e hidrateve të dioksidit të karbonit gjatë një periudhe prej të paktën gjashtë muajsh. E ardhmja? Kjo teknologji mund të zhvillohet në një shkallë komerciale dhe me kosto relativisht të ulët: më shumë se dy milionë ton anhidrid mund të kapeshin nga atmosfera, për ta varrosur atë në formën e hidratit në sedimentet detare për një kohë potencialisht “të përjetshme” për njerëzit. FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.