Abuzim me fondet – Auditimet, institucionet shëndetësore “mbushin xhepat”
Tre nga institucionet shëndetësore më të mëdha në vend, rezultojnë që të kenë abuzuar me fondet sipas buletinit të katërt statistikor të vitit 2016, të auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë periudhës Janar-Dhjetor. Në këtë buletin përfshihen: dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si dhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori.
Nëse ju referohemi institucioneve shëndetësore dëmi më i madh ekonomik vjen nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Sipas të dhënave të bëra publike nga KLSH ky dëm është në vlerën 1,8 miliardë lekë nga të cilat:
50 milionë e 133 mijë lekë si pasojë e mos llogaritjes së saktë të shërbimeve të pakryer gjatë 8 muajve të vitit 2015 në zbatim të kontratës me koncensionarin për CHECK-UP-in;
59 milionë e 262 mijë lekë si pasojë e financimit të padrejtë të spitaleve private për kryerjen e shërbimit të angiografisë (koronarografie) dhe angioplastikës koronare gjatë vitit 2015, duke përdorur pa efektivitet fondet buxhetore;
13 milionë e 337 mijë lekë si pasojë e rritjes së kostos së shërbimeve paketë të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë nga mos rishikimi çmimeve të këtyre paketave;
104 milionë e 995 mijë lekë si pasojë e rritjes së kostos së paketës së hemodializës nga rishikimi i çmimeve të kësaj pakete
1.6 mld lekë për shkak se depot importuese/ distributore, të cilat kanë kontratë me FSDKSH, për barnat e rimbursueshme me të cilat kanë furnizuar depot e barnave dhe rrjetin e hapur farmaceutik kanë deklaruar më shumë shitje se sa ato vetë kanë.
Një tjetër institucion shëndetësor që ka shkaktuar dëm ekonomik është QSUT, në vlerën 266 milionë lekë. Ky institucion përfiton përqindjen më të lartë të buxhetit për shërbim spitalor në Republikën e Shqipërisë. Sipas të dhënave të raportuara nga KLSH, QSUT-ja ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik si pasojë e keqmenaxhimit. Kjo vlerë është e ndarë si më poshtë:
79 milionë e 560 mijë lekë si pasojë e shtesave në kosto për mirëmbajtjen e dy pajisjeve skaner dhe akselerator, në kontratën e shërbimit të mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore, në kundërshtim me nenin 20 “Trajtimi” dhe Aneksin C të kontratës së lidhur nga Ministria e Shëndetësisë me X fitues;
13 milionë e 869 mijë lekë si pasojë e përfitimit të padrejtë nga X fitues i pagesës për seanca të tejkaluara por të paregjistruara tek shërbimi i hemodializës;
48 milionë e 376 mijë lekë si pasojë e skadimit të barnave;
124 milionë e 339 mijë lekë si pasojë e skadimit të barnave të siguruara nga donacionet.
Ndërkohë, nga ana e saj Ministria e Shëndetësisë gjithashtu raportohet se ka kryer disa shkelje me rezultat dëm në fonde, në vlerën e 2.7 mln lekë. Pjesë e raportit të KLSH është edhe projekti i shëndetësisë elektronike, ku rezulton se: Shëndetësia elektronike në Shqipëri, regjistri mbarëkombëtar i shëndetësisë elektronike, në vlerën 6,7 milionë lekë, edhe pse është arritur kosto e projektin në pagesë, nuk është implementuar brenda afatit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.