Abuzimet me Tiranë-Elbasan – Krimet e Rënda, burg për Dashamir Xhikën e dy mbikëqyrësit
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest me burg” për tre ish zyrtarët e Autoritetit Rrugor shqiptar që po hetohen për abuzime në ndërtimin e Rrugës Tiranë-Elbasan. Në seancën e sotme, e cila u zhvillua pa praninë e mediave, ju komunikua masa e sigurisë ish kreut të ARRSH Dashamir Xhika, nën akuzë për “korrupsion pasiv”, dhe dy ish mbikëqyrësve të projektit Aksel Qordukës e Albens Alites, nën akuzë për “shpërdorim detyre”.
Kjo është masa e dytë e arrestit e dhënë për Dashamir Xhikën Brenda pak ditëve, pasi një vendim të tillë e mori edhe Gjykata e Elbasanit për shkak të akuzave për abuzime në ndërtimin e Rrugës Elbasan-Gjinar.
Të tre ish-zyrtarët janë nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet e Rrugës Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro. Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori. I pari nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe i dyti nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri .
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.