Abuzimi me tregun e fruta-perimeve – Konkurrenca: Shkelje të rënda nga EKMA Albania
Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur akuza të rënda të abuzimit me pozitën dominuese ndaj kompanisë EKMA Albania, që administron tregun e shumicës së produkteve ushqimore në Tiranë. Sipas autoritetit, kjo ndërmarrje po shfrytëzon pozitën e saj monopoliste për të siguruar fitime të padrejta ndaj subjekteve që marrin me qira ambiente për të magazinuar dhe tregtuar produkte ushqimore.
Hetimi paraprak ka arritur në konkluzionin se ky subjekt aplikon çmime shumë të larta qiraje krahasuar me mesataren e zonës gjeografike; që i mundësojnë shoqërisë një normë fitimi shumë të lartë prej 76.1%. Çmimet e qirasë të aplikuara nga ndërmarrja sjellin pasoja për konsumatorin final, duke rritur koston produkteve agro – ushqimore të cilat tregtohen nëpërmjet këtij tregu. Një shkelje akoma më flagrante është vendosjae çmimeve më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE, si dhe UKT.
Gjithashtu, EKMA Albania aplikon kontrata të cilat përmbajnë kushte imponuese vetëm për qiramarrësin, që sjellin një humbje ose dëmtim të shpërpjesëtuar të interesave të palës kontraktuese. Kontrata detyron qiramarrësin të negociojë muaj për muaj për çmimin e saj, duke krijuar paqëndrueshmëri financiare dhe duke e vendosur këtë të fundit në kushte të pafavorshme konkurrence.
Për të gjitha këto shkelje, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar dhe ndërkohë ka vendosur masa të përkohshme ndaj subjektit. Nëse EKMA Albania nuk i ndërpret brenda 30 ditëve shkeljet e mësipërme, rrezikon të ndëshkohet me gjobë në 5% të xhiros së vitit paraardhës. Duke qenë se xhiro e vitit të kaluar ishte rreth 4 milionë euro, kompania rrezikon një gjobë prej 200 mijë eurosh.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.