Administrata në zgjedhje – DPPPP: Denonconi rastet e përfshirjes së punonjësve

Listës së institucioneve që kanë nxjerrë urdhër për mospërfshirje të administratës në aktivitete që lidhen me fushatën elektorale i është shtuar edhe një tjetër institucion.
Bëhet fjalë për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Në një njoftim të bërë nga kjo drejtori jepen edhe mënyrat e komunikimit për të bërë denoncimin.
“Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) ka vendosur në dispozicion numrin + 355 422 29 049 dhe adresat email [email protected] l dhe [email protected] në të cilat mund të bëhen denoncimet e çdo rasti abuziv dhe të paraqitet çdo ankesë ndaj punonjësve dhe drejtuesve të DPPPP që gjatë procesit zgjedhor përfshihen në veprimtari politike në kundërshtim me këtë vendim”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Vendimi për të përjashtuar administratën nga aktivitetet e fushatës elektorale u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave në datë 1 qershor. Në zbatim të këtij vendimi reagimi i parë erdhi nga Ministritë dhe më pas edhe në institucionet e tyre të varësisë.
Njëkohësisht me këtë administrata është përfshirë nga një valë shkarkimesh dhe kallëzimesh për drejtues që janë përfshirë në fushatë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.