Administrata publike, Harito: Qeveria, 100 mln euro për reformim. 32 mln euro nga BE
Përmbyllet projekti 2 – vjeçar i binjakëzimit për reformimin e administratës publike. Gjatë aktivitetit ku të pranishëm ishin edhe ambasadorë të BE, si mbështetës të kësaj reforme, ministrja e Inovacionit Milena Harito theksoi se përmirësimi i administratës është në fokus të qeverisë, ku për here të parë shteti shqiptar ka investuar 100 milionë euro për këtë reformë.
Harito cilësoi si një hap të madh për profesionalizimin e punonjësve të administratës publike, krijimin e regjistrit. Në këtë regjistër deri më tani, sipas Haritos janë regjistruar 15 mijë nëpunës civilë dhe pritet të shtohen edhe 90 mijë të tjerë.
Ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin u shpreh se Bashkimi Europian e mbështet këtë reformë duke financuar 32 milionë euro për implementimin e saj në një periudhë 3 vjeçare. Financimi i ndërkombëtarëve do të shtrihet edhe në trajnimin e të rinjve përmes një programi të ri bursash në vende të ndryshme europiane.
Reforma e administratës publike është pjesë e 5 prioriteteve që duhet të përmbushë vendi ynë për anëtarësimin në BE. Vetëm për 2017-ën investimi i BE në këtë drejtim do të jetë 7 mln euro.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.