Administrata publike, Rama: Ligji i ri jep garanci për të punësuarit. Harito: Ja sa kanë hyrë në sistem nga viti 2014

“Në administratën publike që prej vitit 2014 kanë konkurruar rreth 50 mijë persona, ndërkohë që 2500 kanë hyrë në sistem”.
Kështu është shprehur në një takim me të rinjtë e rekrutuar në administratën publike, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ku ndër të tjera shtoi se është forcuar shkolla e administratës ku çdo vit ndryshojnë kurrikulat, ndërkohë sipas saj, këtë vit është bërë një kurrikul e posaçme në shërbimin publik.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryeministri Rama i cili pohoi se: “ Futja në sistem e 2500 vetave është një bazë shumë e mirë. Edhe pse në moshë të re dhe eksperienca nuk ka qenë e madhe, ligji jep shumë garanci për të rekrutuarit. Kështu që nuk lëvizet njeri për shkak të dëshirave, sepse jeni për një afat të gjatë në administratë. Ky stabilitet do të bëjë që administrata të jetë krejt ndryshe në harkun e një dhjetëvjeçari. Vendet që shikojmë me zili ne e kanë administratën publike qindra vjeçare, ndaj është gjeja më e vështirë për ta ndërtuar atë. Nuk është njësoj sikur ndërtohen rrugët, pasi kërkohen burime njerëzore të përzgjedhura me kujdes, të kualifikuar hap pas hapi”.
Gjithashtu Rama u shpreh për efektin që ka pasur në administratën publike, reforma.
“Reforma ka minimizuar shumë efektin mik, parti, para për rekrutimin në administratën publike. Gjithashtu, kur hyn në nivelin e parë në administratë, gjate viteve mund të synosh për të kapur pozicionet në nivelin më të lartë, në bazë të kualifikimeve dhe performancës”.
Nga ana tjetër ministrja Harito pohoi se të shumta kanë qenë lëvizjet brenda administratës publike.
“Nga 2014, 120-130 persona kanë lëvizur brenda për brenda administratës dhe janë ngritur në detyrë. Kemi forcuar shkollën e administratës, çdo vit ndryshojmë kurrikulat. Këtë vit kemi bërë një tjetër kurrikul në shërbimin publik, pasi ishte shumë e nevojshme”, theksoi Harito.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.