Administrata publike, zv.kryeministrja Mesi: Qeveria, plan ambicioz për bashkëqeverisje me qytetarët
Është zhvilluar gjatë ditës së sotme takimi i shtatë i Grupit të Posaçëm të Reformës në Administratën Publike, kryesuar nga Zv/kryeministrja Senida Mesi, si dhe shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian, Michela Matuella.
Gjatë fjalës së saj, Zv/kryeministrja Mesi u ndal në planin që qeveria ka ndërmarrë në kuadër të bashkëqeverisjes me qytetarët, plan i cili ka nisur me riorganizimin institucional, rishikimin e funksioneve të të gjitha institucioneve dhe agjencive të varësisë, me qëllim ristrukturimin e tyre.
Si pjesë të këtij plani, Mesi riradhiti një sërë pikash të rëndësishme si: shtimi i numrit të shërbimeve publike online që do të kontribuojnë në modernizimin dhe uljen e korrupsionit; përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit; modernizimi i shërbimeve me objektiv kryesor evitimin e sporteleve fizike; dhe reduktimi i licencave, lejeve dhe autorizimeve që nevojiten për kryerjen e aktivitetit.
Në lidhje me shqetësimin e përcjellë së fundmi në opinionin publik për impaktin që mund të ketë ristrukturimi rrënjësor i sistemit të ministrive e institucioneve mbi Administratën Publike, Zv/kryeministrja Mesi nënvizoi se: “Përfitoj nga rasti që të siguroj çdo nëpunës të Administratës, të cilët me korrektësi dhe profesionalizëm kryejnë detyrën kundrejt qytetarëve, se qeveria është e angazhuar për t’i mbështetur dhe promovuar më tej ata. Në të njëjtën kohë, ne do të modernizojmë shërbimet, lehtësojmë punën e tyre dhe do të ulim burokracinë për qytetarët tanë në të gjitha pikat ku shteti u shërben atyre”.
Ndër të tjera, Mesi çmoi edhe vlerësimin pozitiv të progres-raportit të fundit nga Komisioni Evropian për Reformën në Administratën Publike në Shqipëri, dhe gjithashtu shprehu vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të ruajtur këtë trend, i cili e pozicionon aktualisht vendin tonë në të njëjtin stad me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët ndodhen tashmë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.
Reforma në Administratën Publike është një prej pesë prioriteteve kyçe që duhet zbatuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.