Administrimi i pallateve – Si dëmshpërblehen rastet e dëmeve mes pronarëve
Çdo ndërtesë mbi të cilën kanë bashkëpronësi të paktën katër persona duhet që të ketë një administrator. Është ky një ndër propozimet që vjen në projektligjin “Për Administrimin e Bashkëpronësisë në Ndërtesat e Banimit” i propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Zhvillimit Urban.
Ky draft merr parasysh procesin e zgjedhjes së administratorit, regjistrimin e tij në njësinë vendore në regjistrin përkatës dhe ushtrimin e detyrave që lindin nga ky pozicion. Për herë të parë ligji merr parasysh mënyrën sesi do të dëmshpërblehet një pronar i dëmtuar nga një tjetër pronar në kompleksin ku ai jeton. Kompetencën për të dhënë vendimin e ka Kryesia e përzgjedhur për secilën ndërtesë.
“Kryesia miraton propozimet për dëmshpërblim, kryesisht apo me kërkesë të të dëmtuarit, kur i është shkaktuar dëm nga përdorimi i pakujdesshëm i një bashkëpronari tjetër, duke e detyruar këtë të fundit të rivendosë gjendjen e mëparshme dhe të dëmshpërblejë të dëmtuarin. Kur dëmtuesi, brenda 10 ditëve nga njoftimi i vendimit, nuk ka dëmshpërblyer të dëmtuarin, vendimi i kryesisë së bashkëpronarëve për dëmshpërblim përbën titull ekzekutiv, në kuptim të shkronjës “e” të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile dhe ekzekutohet nga shërbimi përmbarimor” thuhet në draft.
Mënyra e vlerësimit të dëmit dhe verifikimit të tij do të kryhet në bazë të rregullores respektive.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.