Administrimi i pyjeve – Mungojnë fondet, Muharremi: Ti kalojë Ministrisë së Bujqësisë

Sektori pyjor në vendin tonë me ndryshimet e reja territoriale ka ngelur i zhveshur nga investimet. Federata Kombëtare për Pyjet dhe Kullotat bënë me dije se njësitë vendore tek të cilat kanë kaluar përgjegjësitë e administrimit, nuk kanë siguruar buxhetet e nevojshme për mbrojtjen e pyjeve si edhe nuk kanë kapacitetet e duhura për mirëmenaxhimin e tyre.
Kreu i kësaj federate, Vesir Muharremi, gjatë takimit të 7-të të komitetit koordinues, ka kërkuar kalimin e këtij sektori në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mbështetjen me fonde si edhe kalimin e pyjeve në mënyrë ligjore në zonat rurale. Po ashtu dhe ekspertja Albora Kacani bëri të ditur faktin se fondet e kaluara nga MF nuk mjaftojnë për investime në këtë sektor.
“Sektori i pyjeve dhe kullotave, mendojmë dhe e kemi propozuar me kohë, duhet të kalojë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Problem kryesor mbetet regjimi i pronësisë. Mbështetur në traditën e vendit dhe në përvojën europiane, pyjet dhe kullotat e fshatrave duhet të kalojnë në pronësi të fshatit dhe familjeve rurale, të cilat faktikisht i posedojnë ato. Kalimi në pronësi dhe mbarështimi afatgjat i pyjeve të mbështeten me dokumente zyrtare, mbështetja me fonde dhe stimuj financiarë e punimeve pyjor, e mbi të gjitha zbatim i ligjit”, tha kreu i FKPKK, Vezir Muharremi.
“Fondet e kaluara nga ministria e Financave për Bashkitë prapë nuk janë të mjaftueshme për vendosjen e personelit teknik sipas normave që cakton ligji për sigurimin e infrastrukturës si dhe për kryerjen e investimeve në pyje. Shumica e bashkive nuk kanë kushte të përshtatshme të përshtatshme pune, nuk kanë zyra, nuk kanë mjete për ushtrimin e detyrës”, shtoi ekspertja Albora Kacani.
E pranishme në takim, deputetja e PS, Almira Xhembulla, ofroi mbështetje për kërkesat e federatës duke u shprehur se qeveria do ta shikojë me prioritet këtë sektor.
“E rëndësishme është që në të gjitha nivelet, pyjet dhe kullotat janë patjetër prioritet i programit të qeverisë. Të gjithë janë në njëfarë mënyre të ndërgjegjshëm që shumica e bashkive nuk kanë as ndoshta jo vetëm motivin, por ndoshta edhe kapacitetet e duhura për ta menaxhuar siç duhet këtë kompetencë. Mbase lidhet edhe me fondet e limituara apo me burimet njerëzore, ndërkohë për të dyja këto që përmenda parashikohen shtesa në projektbuxhetin e vitit 2018”, u shpreh Xhembulla.
Buxheti i akorduar për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për vitin e ardhshëm lidhur me administrimin e pyjeve, kap shifrën mbi 880 milionë lekë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.