Adresat e reja, drejtori i Gjendjes Civile: Si të shmangni gjobën para datës 27 korrik! Edhe ata që kanë më shumë se 1 shtëpi, duhet t’i deklarojnë
Kur kanë mbetur vetëm 4 ditë nga përfundimi i afatit të amnistisë për deklarimin e vendbanimit, drejtori i Përgjithashëm i Gjendjes Civile tregon se është 5-fishuar numri i personave që paraqiten për të bërë regjistrimin. Në një intervistë për gazetën “Panorama” Bledar Doracaj shpjegon se edhe personat që kanë më shumë se një shtëpi banimi duhet të bëjnë deklarimin edhe të banesave të tjera në të kundërt do të gjobiten.
“Në momentin që ti paraqitesh në zyrat e gjendjes civile për të ndryshuar vendbanimin, nëpunësi i gjendjes civile kur konstaton se ka skaduar afati i përcaktuar në ligj, pra përtej amnistisë, merr masën administrative, gjobë prej 10 mijë lekësh, për të bërë ndryshimin e vendbanimit. Ndryshimi duhet të bëhet te njësia që ti do të shkosh. Dy janë dokumentet që duhet të paraqesësh te njësia ku ti banon realisht. Njëri nga dokumentet është certifikata e pronësisë, kontratë qiraje ose sipërmarrje ose dokument nga ALUIZNI që je në proces legalizimi, dokumenti i dytë është fotokopje e kartës së identitetit të personave madhorë. Në momentin që nëpunësit i paraqiten këto dokumente, plotëson një formular i cili firmoset nga aplikuesi. I gjithë ky proces zgjat jo më shumë se 2-3 minuta për të bërë zhvendosjen dhe vetë zyra e gjendjes civile tërheq gjendjen civile nga zyra ku je regjistruar, në zyrën ku ti e regjistron si vendbanim aktual” shprehet Doracaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.