Aeroporti i Kukësit – Pas deklaratave të Ramës, Albcontrol hap tender për studimin e hapësirës
Kompania Albcontrol, që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare ka hapur tenderin për studimin e infrastrukturës navigacionale për Aeroportin e Kukësit. Shërbimi ka një fond limit prej 10.8 milion lekë, ndërkohë që ai vjen pak pas njoftimit të bërë nga kryeministri, Edi Rama mbi ekzistencën e një investitori serioz për këtë aeroport.
Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet të kryejë vlerësimin e përgjithshëm të fizibilitetit lidhur me operimet e vetë projektit, veçanërisht duke përfshirë vlerësimin e rrezikut në krahasim me sigurimin e nivelit të kërkuar të sigurisë së trafikut ajror. Ky vlerësim do të shërbejë si bazë për zhvillimin e ardhshëm të projektit dhe konsiderohet nga Albcontrol me rëndësi të madhe.
Po ashtu, ajo do të duhet të bëjë edhe rekomandimin mbi procedurat e përshtatshme të afrimit dhe nisjes si dhe llojin e operimeve në aerodrom, përfshirë llojet e avionëve që do të shërbejnë dhe drejtimin e zgjerimit të pistës nëse është e nevojshme. Aeroporti i Kukësit është një aeroporti i dytë civil në Shqipëri. Ndërtimi tij nisi në muajin maj të 2002, me fonde te Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa iu dorëzua autoriteteve shqiptare në vitin 2006, Por, që prej asaj kohe nga ky aeroport nuk është realizuar asnjë fluturim.
Deri 2 vite më parë, pengesa ishte pikërisht marrëveshja koncesionare e aeroportit të Rinasit, që i siguronte këtij të fundit ekskluzivitetin e fluturimeve. Por, ajo tashmë është ndryshuar, duke hequr këtë pengesë për fluturime nga Kukësi. Kjo periudhë është shoqëruar me deklarata të herëpashershme të zyrtarëve për interes nga kompani fluturimesh, por deri më sot asgjë nuk është konkretizuar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.