Aeroporti i ri i Stambollit, tashmë 80% i përfunduar – Konsorciumi, i njëjti me atë të Vlorës
Megaprojekti 10.2 miliardë euro i Aerportit të ri të Stambollit ka përfunduar 80% të punimeve dhe gjatë javës festoi ndezjen e dritave në pistën e parë nga tre të tilla. Aeroporti që po ngrihet në periferi të qytetit është brenda afatit të lançimit në 29 Tetor 2018.
Ai do të ketë tre pista paralele, ku e para që përfundoi është 3,750 metra e gjatë dhe 60 metra e gjerë, si dhe ka të instaluara 34,183 drita LED.
“Ne po punojmë natë e ditë për këtë projekt, i cili do të vendosë gjurmën e Turqisë në historinë e aviacionit. Përfundimi i fazës së parë afrohehet me çdo metër katror të ndërtuar”, u shpreh Yusuf Akcayoglu, CEO i “IGA Airports Construction”. Konsorciumi që po ndërton këtë aeroport në Stamboll përfshin 5 kompani, 3 prej të cilave janë ofruar të ndërtojnë aeroportin e Vlorës në zonën e Akërnisë.
“Së fundmi kemi përfunduar sistemin e bagazheve, i cili përbën bërthamën e aeroportit tonë. Tani kemi bërë gati për ulje edhe pistën numër një me të gjitha pajisjet në përputhje me standardet aktuale botërore”, tha Akcayoglu.
Rreth 100 linja ajrore do të funksionojnë në Aeroportin e Ri të Stambollit kur ai të hapë dyert për bizneset më vonë gjatë vitit.
Fillimisht do të pajiset për të përballuar 90 milionë pasagjerë në vit, por me zgjerimin me faza pritet të rritet për t’u bërë porta më e frekuentuar në botë me deri në 200 milionë pasagjerë në vit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.