Afatet e buxhetit – Faza II, kërkesat e institucioneve deri më 1 Shtator
Afati i dorëzimit të kërkesave për fazën e dytë për Programin Buxhetor Afatmesëm 2018-2020, është data 1 shtator.
Sipas udhëzimit plotësues të miratuar nga ministrja e Financave, Helga Vukaj, në korrik, janë përcaktuar afatet dhe datat për seancat dëgjimore të gjithë institucioneve publike, të cilat do paraqesin kërkesat për fonde pranë dikasterit të Financave. Sipas këtij udhëzimi, faza e dytë e seancave dëgjimore është përcaktuar në datat 18 shtator – 29 shtator, ku Ministria e Financave do të zhvillojë këto seanca më të gjithë anëtarët e grupeve të menaxhimit strategjik të njësive të qeverisjes qendrore.
Po sipas udhëzimit të Ministrisë, në këto seanca do të jepen konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse, sipas fushave, të cilat do të përfshihen më pas në raportin përmbledhës të përgatitur nga specialistët e Financave. Më pas ky raport u dërgohet zyrtarisht Njësive të Qeverisjes Qendrore.
Ndryshimet në ligjin e menaxhimit buxhetor, të bëra një vit më parë, sollën rregulla të reja që eliminojnë keqadministrimin e buxhetit. Konkretisht, ndryshimet prekën kontrollin e shpenzimeve në vitet kur ka zgjedhje, si dhe veprimtaritë ekstra-buxhetore, përfshirë Partneritetin Publik-Privat.
Por duke pasur parasysh që qeveria e re pritet të formohet në Shtator, edhe përgatitjen për buxhetin janë “në dilemë”, pasi është paralajmëruar një “riformatim” i institucioneve.
Në këtë mënyrë edhe përgatitjet apo draftet për buxhetin e vitit të ardhshëm apo atë afatmesëm, duket se do të ndryshojnë përsëri.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.