Afrojnë zgjedhjet në Britani, Johnson premton Brexit për Krishtlindje
Kryeministri britanik, Boris Johnson premtoi të rikthejë marrëveshjen e Brexit në Parlament përpara Krishtlindjeve. Ndërkohë që vetëm 3 javë kanë mbetur përpara zgjedhjeve të parakohëshme më 12 Dhjetor, Konservatorët dhe Laburistët e opozitës po përpiqen të bindin votuesit me perspektivat e tyre të ndryshme, por me pak premtime për të shpeznuar më shumë në shërbimet publike. Johnson tha se nuk do të rrisë taksat nëse konseratorët fitojnë zgjedhjet, në përpjekje për të bërë dallim nga laburistët, që kanë premtuar rritje të taksave për të pasurit dhe bizneset e mëdha, që të financojnë shpenzimet shtetërore.
Sondazhet tregojnë se partia Konservatore ndodhet në avantazh të bindshëm ndaj laburistëve, por sasia e madhe e votuesve të pavendosur e ka bërë të vështirë parashikimin e rezultatit. “Dhurata ime për Krishtlindje do të jetë marrëveshja e brexit në parlament përpara pushimeve”, tha Johnson. Zgjedhjet e Dhjetorit, që vijnë pas 3 vitesh negociata për të dalë nga Bashkimi Europian, do të tregojnë se si Brexit ka lodhur votuesit dhe përçarë partitë tradicionale politike.
Laburistët kanë thënë se do të rinegociojnë një tjetër marrëveshje për Brexit me Bashkimin Europian brenda 6 muajve, marrëveshje që do i takojë popullit për ta vendosur, nëpërmjet një referendumi. Tek ky i fundit, do ekzistojë dhe alternativa e qëndrimit në Bashkimin Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.